Kryeministri Edi Rama ka mohuar se qeveria shqiptare ka arritur një marrëveshje përfundimtare me grupin e investitorëve për projektin në ishullin e Sazanit. Gjatë një interviste me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, për platformën “Channel 5”, ai këmbënguli se ishulli mbetet pronë publike dhe se negociatat janë ende në zhvillim.
Rama tha se synimi nuk është privatizimi i Sazanit, por krijimi i një sipërmarrjeje të përbashkët, ku shteti shqiptar do të jetë partner. Sipas tij, deri më tani nuk ka marrëveshje, financim apo projekt përfundimtar.
Për të kundërshtuar raportimet dhe reagimet që kanë shoqëruar investimin, kryeministri përdori edhe ironi, duke përmendur flamingot që jetojnë në ishull. Ai tha se debati po paraqitet sikur shpendët do të vriten për t’u shërbyer në tryezën e mëngjesit të presidentit amerikan Donald Trump.
“ Sazani është një tokë publike. Nëse nuk e dini, po ju informoj. Dhe për sa kohë flasim, nuk ka asnjë marrëveshje mes Republikës së Shqipërisë dhe grupit të investitorëve. Nuk ka para, nuk ka projekt. Nuk ka ende një marrëveshje”, u shpreh Rama.
Më tej, ai akuzoi për përhapje të informacioneve të pavërteta lidhur me projektin, duke kundërshtuar pretendimet se ishulli është privatizuar.
“Ndërkohë ju djema keni gënjyer botën, jo kanali juaj personalisht, keni mashtruar botën, duke i thënë se ishulli është privatizuar. Flamingot në ishull, të cilët nuk e kanë kaluar kurrë ishullin, do të vriten dhe Trump do t’i hajë në mëngjes”, deklaroi kryeministri.
Rama përsëriti se negociatat synojnë krijimin e një partneriteti mes shtetit dhe investitorëve, ndërsa përmendi edhe faqen flamingomirror.al si burim ku, sipas tij, mund të verifikohen informacionet rreth projektit.
“Nuk ka akoma një marrëveshje sepse ne po shpresojmë të krijojmë një sipërmarrje të përbashkët ku Republika e Shqipërisë do të jetë partnere dhe kjo është ajo që po them. Në flamingomirror.al mund të konfirmoni se 90% e gjërave që thuhen janë gënjeshtra”, përfundoi Rama.


