Qendra për Punë Sociale në Gjilan ia kishte besuar kujdesin prindëror të foshnjës tre muajshe babait të saj biologjik, Adonis Demiri, pasi ky i fundit kishte paraqitur një kërkesë me shkrim për ta marrë vajzën në kujdes. Kështu ka deklaruar drejtori i këtij institucioni, Mursel Zymberi, duke shpjeguar procedurën e ndjekur para tragjedisë në fshatin Demiraj, ku 27-vjeçari dhe foshnja humbën jetën më 1 nëntor.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Zymberi tha se gjatë paraqitjes në Qendrën për Punë Sociale, Adonisi ishte shoqëruar nga dy prindërit dhe motra e tij. Sipas drejtorit, në atë moment nuk ishte konstatuar ndonjë shqetësim apo çrregullim psikik dhe në dokumentacionin e institucionit nuk kishte shënime për probleme të tilla.
“Adonisi kur është paraqitur, me dy prindërit dhe motrën e vet, ka qenë në gjendje normale dhe nuk është vërejtur dhe nuk kemi pasur as edhe një shënim që ka pasur shqetësime apo çrregullime psikike”, deklaroi Zymberi.
Ai sqaroi se rasti ishte trajtuar në kuadër të të drejtave të prindit biologjik dhe jo si procedurë adoptimi apo kujdestarie. Sipas tij, Qendra për Punë Sociale nuk disponon një databazë që u mundëson punonjësve të verifikojnë nëse një person është i përfshirë në vepra penale.
“Kur kemi të bëjmë me prindin biologjik, është një procedurë tjetër me adoptimin apo kujdestarinë. Adonisi ka qenë prind që ka kërkuar kujdesin prindëror. Dhe ne si qendër nuk kemi një databazë e cila na tregon se një person mund të jetë i përfshirë në krime të çfarëdo natyre”, tha ai.
Deklaratat e drejtorit vijnë pas konfirmimit nga Gjykata Themelore në Gjilan se Adonis Demiri ishte dënuar më herët për kanosje ndaj të fejuarës së tij. Sipas përgjigjes së gjykatës për Dukagjinin, më 17 qershor 2026, Dega në Kamenicë e kishte dënuar 27-vjeçarin me gjashtë muaj burgim për këtë vepër penale. Me pëlqimin e tij, dënimi ishte zëvendësuar me një gjobë prej 1 mijë e 800 eurosh.
Po ashtu, në prill të vitit 2026, Demiri kishte qëndruar për dy muaj në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, pasi dyshohej se kishte përdorur kokainë. Sipas gjykatës, eksperti psikiatër kishte rekomanduar dërgimin e tij në këtë institucion për shkak të varësisë nga substancat narkotike. Në vijim, gjykata i kishte shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, në bazë të dispozitave ligjore për kryerësit me çrregullime mendore.
I pyetur nëse pas tragjedisë kishte menduar të jepte dorëheqjen, Zymberi u përgjigj se nuk e kishte shqyrtuar një mundësi të tillë.
Ndërkohë, sipas dosjes së Prokurorisë për vrasjen e dyfishtë në Demiraj, dyshimet për vdekjen e Adonis Demirit dhe vajzës së tij lidhen me një konflikt brenda familjes. Për rastin është caktuar një muaj paraburgim ndaj babait të 27-vjeçarit, B.D., i cili dyshohet për vrasje të rëndë.


