
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se kushtet atmosferike gjatë ditës së martë pritet të jenë të paqëndrueshme. Temperaturat do të variojnë nga 4 gradë Celsius, vlera minimale e parashikuar në qarkun e Dibrës, deri në 19 gradë Celsius, vlera maksimale në qarqet e Beratit dhe Sarandës.
Sipas njoftimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe intervale kthjellimesh.
Reshjet e shiut pritet të jenë të herëpashershme, me intensitet të ulët, si dhe shtrëngata afatshkurtra në pjesën më të madhe të territorit, duke filluar që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e pasdites. Në relievet malore në lindje, në lartësitë mbi 1000 metra, parashikohen reshje të dobëta dëbore.
Pas orëve të pasdites, moti do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash, si dhe ndërprerje të reshjeve të shiut në të gjithë territorin.
Era pritet të fryjë me drejtim verilindje-juglindje, me shpejtësi mesatare 9 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina, shpejtësia e saj do të arrijë deri në 18 m/s. Në dete parashikohet valëzim i forcës 3-4 ballë.





