E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Deklarata e fortë: Rama ka vendosur para ‘togës së pushkatimit’ Ndrecën dhe Veliajn
Lajme

Deklarata e fortë: Rama ka vendosur para ‘togës së pushkatimit’ Ndrecën dhe Veliajn

Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar detaje nga një komunikim që ka zhvilluar me Plarent Ndrecën, avokatin mbrojtës të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me përplasjen e fortë që dyshohet se ka shpërthyer mes këtij të fundit dhe kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Prime” në News24, Hoxha deklaroi se situata mes Ramës dhe Veliajt ka marrë përmasa të tilla, saqë si kryebashkiaku, ashtu edhe avokati i tij, ndodhen, sipas metaforës së gazetarit, përpara “togës së pushkatimit”.

Hoxha tregoi se kishte komunikuar gjatë ditës me Ndrecën dhe se ky i fundit i kishte rrëfyer zhvillimet që po ndodhin në prapaskenë. Sipas gazetarit, presioni ndaj Veliajt dhe avokatit të tij është intensifikuar ndjeshëm, ndërsa Rama po e ngushton gjithnjë e më shumë hapësirën e tyre të veprimit.

Gazetari bëri të ditur gjithashtu se Ndreca i kishte treguar për komunikimet me persona pranë kryeministrit, duke e vendosur fillimin e kësaj përplasjeje që në muajin shtator, në periudhën kur Veliaj u rikthye në krye të Bashkisë së Tiranës.

Sipas Hoxhës, që prej rikthimit në detyrë, Veliaj ka ndërmarrë një sërë shkarkimesh dhe ka marrë vendime që nuk mund të realizohen pa firmën e tij. Këto zhvillime, sipas gazetarit, kanë shtuar tensionet me kryeministrin.

Një tjetër element që Artan Hoxha veçoi ishte dërgimi i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, për të takuar Veliajn në paraburgim. Për gazetarin, ky veprim është tregues se janë shteruar rrugët e tjera të komunikimit dhe se situata ka hyrë në një fazë edhe më të rëndë.

Hoxha përdori një gjuhë të fortë për të përshkruar presionin që, sipas tij, po ushtrohet ndaj kryebashkiakut dhe avokatit të tij, duke deklaruar se Rama po e shtrëngon lakun deri në atë pikë sa personi përballë të ndihet i detyruar të heqë qafe veten.

Në vijim, gazetari bëri edhe një krahasim me zhvillimet e fundit gjatë protestave studentore, ku janë raportuar përplasje dhe dhunë nga policia. Sipas tij, ajo që po ndodh me studentët nuk është asgjë në raport me atë që mund të përjetojnë personat e privuar nga liria në burgjet shqiptare.

Ai theksoi se nëse një situatë e tillë i ndodh një kryebashkiaku si Erion Veliaj, atëherë mund të imagjinohet se çfarë ndodh me të burgosurit e tjerë, të cilët nuk kanë të njëjtën mundësi për të bërë publik atë që përjetojnë pas dyerve të qelive.

Me këtë argument, Hoxha ngriti shqetësimin për trajtimin e të burgosurve në institucionet penitenciare, duke përdorur shprehjen e fortë: “Si kërcet dajaku”.

“Kam biseduar sot me Plarent Ndrecën. Fola për atë që po ndodh.

Kryeministri i ka vendosur para ‘togës së pushkatimit’, atë dhe Erion Veliajn. Kreu i qeverisë ta ngushton lakun kaq shumë, sa ti ta heqësh qafe veten. Ndreca më ka thënë se ka folur me njerëz pranë kryeministrit. Kjo ka ndodhur që në muajin shtator, kur Veliaj u kthye në krye të Bashkisë së Tiranës.

Që nga ai moment, Veliaj ka bërë shkarkime. Ka shumë vendime, që nuk merren dot pa firmën e Erion Veliajt. Fakti që Rama dërgoi ministrin e Drejtësisë, tregon se i ka konsumuar rrugët e tjera.

Jemi në pikën që dhuna e policisë ndaj studentëve nuk është asgjë. Kur kjo i ndodh Veliajt, vetëm imagjinoni se çfarë ndodh nëpër burgje, si kërcet dajaku”, u shpreh Artan Hoxha.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.