Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësimin për mundësinë e ndërprerjes së eksportit të produkteve të peshkut nga Kosova drejt Malit të Zi, si pasojë e kërkesave të reja që ky shtet po i zbaton në kuadër të përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

Për këtë çështje, DHTIK u është drejtuar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, duke kërkuar sqarime dhe duke u kërkuar të ndërhyjnë për të shmangur pengesat në eksportin e produkteve kosovare.


“Në përgjigjen që kemi pranuar nga Ministria e Bujqësisë së Kosovës, bëhet e ditur se AUVK-së i është kërkuar që ta trajtojë me prioritet këtë çështje, të verifikojë bazën ligjore të kufizimit të paralajmëruar, të komunikojë me autoritetet malazeze dhe të identifikojë kushtet që duhet të plotësohen për vazhdimin e eksporteve. Po ashtu, është kërkuar vlerësimi i autorizimeve dhe certifikatave të operatorëve eksportues.

Ndërkohë, në përgjigjen zyrtare që DHTIK ka pranuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave e Malit të Zi, është konfirmuar se kërkesat e reja përfshijnë edhe produktet e peshkut, të freskët, të ftohtë dhe të ngrirë. Sipas këtij sqarimi, pas datës 30 qershor 2027, importi i produkteve nga vendet dhe objektet që nuk janë të përfshira në listat përkatëse të autorizuara të Bashkimit Evropian nuk do të lejohet”, thuhet në njoftim.

DHTIK thekson se shqetësues është edhe fakti se zhvillime të ngjashme mund të prekin në të ardhmen edhe eksportin drejt Shqipërisë, e cila është në proces të përafrimit të legjislacionit dhe standardeve me ato të Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga institucionet e Kosovës që të mos pritet deri në afatin e paralajmëruar, por të fillojnë menjëherë bisedimet me autoritetet malazeze dhe me Komisionin Evropian për të përcaktuar rrugën që duhet ndjekur.

“Në të njëjtën kohë, AUVK duhet të vlerësojë gjendjen aktuale, të identifikojë nëse ekzistojnë mangësi në sistemin e kontrollit veterinar dhe të përgatisë një plan me hapa dhe afate konkrete për përmbushjen e kërkesave të nevojshme.

AUVK duhet të përmbushë edhe kushtet e nevojshme për eksportin e mishit dhe të produkteve me origjinë shtazore në Bashkimin Evropian, në mënyrë që bizneset tona të kenë mundësi të eksportojnë në këto vende. Kërkojmë gjithashtu nga Ministria e Tregtisë që këtë çështje ta ngrejë në kuadër të CEFTA-s, në mënyrë që të shqyrtohen mundësitë për trajtimin e pengesave që mund të ndikojnë në tregtinë rajonale”, thuhet tutje në reagim. /Telegrafi/

Humbja e tregut malazez, si dhe kufizimi i mundshëm i qasjes në tregun shqiptar, do të ishte një goditje për prodhuesit kosovarë dhe do të ndikonte drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre ekonomik dhe mundësitë për eksport.

DHTIK konsideron se bizneset vendore nuk duhet të humbin tregjet ku tashmë kanë krijuar marrëdhënie tregtare për shkak të vonesave apo mungesës së koordinimit ndërmjet institucioneve. Për këtë arsye, kërkojmë që institucionet përgjegjëse të veprojnë me urgjencë dhe të sigurojnë që prodhuesit kosovarë të kenë mundësinë t'i përmbushin kërkesat e nevojshme dhe të vazhdojnë eksportin e produkteve të tyre.