Agjencia zyrtare e lajmeve KCNA njoftoi sot se Koreja e Veriut ka kryer një test me raketa strategjike lundruese. Kjo provë pasoi testimin e raketave lundruese që mund të mbajnë municione thërrmuese.
Sipas KCNA-së, prova e zhvilluar dje shërbeu për të përmirësuar manovrimin e raketës lundruese gjatë fazës së fundit të fluturimit, duke përsosur kështu aftësinë e saj për të goditur vertikalisht një objektiv.
Të lidhura
None found
Agjencia pretendoi se një kokë luftarake e mesme, e vendosur në një raketë lundrimi, mund të bëjë hi një sipërfaqe prej pesë deri në gjashtë hektarësh (50 deri në 60,000 metra katrorë), kur përdoret me fuqinë e saj maksimale.
Për raketat me municione thërrmuese të testuara nga Koreja e Veriut u shpreh gjithashtu pretendimi se mund të shndërrojnë në hi 60 hektarë.
Një zyrtar verikorean e shpjegoi zhvillimin e testit me nevojën që forcat e armatosura të garantojnë sigurinë e vendit dhe të frenojnë kërcënimet e çdo lloji.
Në javët e fundit, Koreja e Veriut ka provuar disa lloje armësh, mes të cilave raketa hipersonike, municione thërrmuese dhe dronë nënujorë, që përbëjnë një lloj torpedoje të drejtuar.
Për Phenianin, provat me raketa lundruese nuk janë të ndaluara, në dallim nga ato me raketa balistike. Ndërkohë, Koreja e Jugut nuk njoftoi për ndonjë stërvitje të Koresë së Veriut as të dielën, as të hënën.
Gjatë një komunikimi me gazetarët të hënën, Jang Do-yang, zëdhënës i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut, shpjegoi se vendimi për të publikuar ose jo njoftime mbështetet në një vlerësim të plotë ushtarak. Sipas tij, ky vlerësim përfshin ruajtjen e aseteve dhe të aftësive të mbikëqyrjes e zbulimit, sigurinë operacionale, si dhe faktorë të tjerë.
Ai sqaroi gjithashtu se ushtria koreanojugore nuk bën publike çdo lëshim të kryer nga Koreja e Veriut.





