Kosova dhe Gjermania zhvillojnë konsultimet për bashkëpunimin zhvillimor, këto janë fushat ku po investohet

Kosova dhe Gjermania kanë zhvilluar konsultimet zyrtare për Bashkëpunimin Zhvillimor, gjatë periudhës 26-30 tetor, me fokus në tri fusha kryesore: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, energjinë dhe klimën, si dhe qeverisjen e mirë.
Sipas njoftimit të Ambasadës Gjermane në Kosovë, delegacioni gjerman u kryesua nga Dr. Micong Klimes, përfaqësuese e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).
Në delegacion ishin edhe Daniel Alker, shef i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, Markus Delfs, drejtor i GIZ-it në Kosovë, Moritz Remé, shef i zyrës së KfW-së, si dhe përfaqësues të tjerë të GIZ-it dhe KfW-së, shkruan Telegrafi.

Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi takime me ministritë partnere, ku u diskutua për bashkëpunimin aktual, prioritetet e ardhshme dhe angazhimet e planifikuara.
Dr. Klimes mori pjesë edhe në Forumin e 3-të Ekonomik Kosovaro-Gjerman, ku ishte pjesë e një paneli diskutimi për diasporën e bizneseve kosovare në Gjermani dhe potencialin e saj për të nxitur investimet dhe për të forcuar lidhjet ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Ambasada Gjermane bëri të ditur se vizita shërbeu edhe për të prezantuar rezultatet konkrete të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në disa sektorë.
Në kuadër të zhvillimit të aftësive profesionale, përmes Fondit Rajonal të Sfidave janë ndarë 2.1 milionë euro për pesë projekte të aftësimit profesional në sektorë si teknologjia e informacionit dhe komunikimit, siguria kibernetike dhe përpunimi i ushqimit.
Ndërkaq, në fushën e punësimit dhe ndërmarrësisë, 99 pjesëmarrës janë trajnuar në agrobiznes dhe energji solare, ndërsa pesë prej tyre kanë përfituar grante për zhvillimin e ideve të tyre të biznesit.

Një tjetër fushë e bashkëpunimit është efiçienca e energjisë, ku mbështetja përfshin forcimin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe zgjerimin e investimeve në efiçiencën e energjisë dhe energjinë e pastër.
Po ashtu, në fushën e menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave, po mbështeten pesë komuna të rajonit të Dukagjinit për zhvillimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të mbeturinave.
“Partneritet i fuqishëm me Kosovën, me synimin për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve dhe avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane, ku theksohet se vizita rikonfirmoi përkushtimin e Gjermanisë për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën./Telegrafi/










































