Vendosni fjalën kyçe....

Përplasen dy automjete në aksin e Klosit, plagosen drejtuesit



Një tjetër aksident rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit në aksin që lidh Matin me Rrugën e Arbrit, në fshatin Fshat të Klosit. Një automjet tip “Benz” dhe një “Volkswagen” janë përplasur pak metra larg rrethrrotullimit të Rrugës së Arbrit.

Përplasja ka qenë e fortë dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në të dyja automjetet. Si pasojë, janë lënduar dy drejtuesit e mjeteve, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ky është një tjetër aksident i regjistruar në këtë segment rrugor, ku vetëm dy ditë më parë ndodhën tre përplasje brenda një harku kohor prej 30 minutash.

Drejtuesit e automjeteve ngrenë shqetësime për sigurinë në këtë aks, veçanërisht gjatë ditëve me reshje shiu. Sipas tyre, asfalti bëhet tepër i rrëshqitshëm për shkak të sipërfaqes së lëmuar, duke e krahasuar rrugën me një “pistë patinazhi”.

Prej ndërtimit të këtij aksi janë regjistruar dhjetëra aksidente, kryesisht në kushte lagështire, kur automjetet kanë vështirësi në frenim dhe humbasin kontrollin për shkak të rrëshqitjes.