Paralajmërimet e kryeministrit Edi Rama për ndëshkimin e protestuesve po shoqërohen me masa konkrete.
Një qytetar është gjobitur me 5 mijë lekë të reja vetëm sepse ka marrë pjesë në protestën studentore para Kryeministrisë. Sipas policisë, qytetari nuk ka zbatuar disa herë thirrjet e policisë për të liruar rrugën.

Gjoba është bërë publike nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka publikuar edhe dokumentin e gjobës.
Bardhi e ka cilësuar gjobitjen si arbitraritet dhe cenim të së drejtës kushtetuese për protestë paqësore.
“Gjobitja e qytetarëve vetëm dhe vetëm për faktin se ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në një protestë paqësore përbën një akt të rëndë arbitrariteti dhe censure ndaj lirive themelore”, shkruan Bardhi.
Rasti vjen pak ditë pasi Rama paralajmëroi ashpërsimin e masave ndaj pjesëmarrësve në tubime. Paketa e paralajmëruar prej tij u miratua më 28 tetor 2026 nga Këshilli i Ministrave, përmes një akti normativ që parashikon ndryshime në ligjin për tubimet dhe sanksione për shkelje të caktuara gjatë protestave.













