Futbolli spanjoll është në zi pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të sulmuesit të Tenerifes, Jesús de Miguel Alameda.
Klubi spanjoll ka konfirmuar lajmin e hidhur përmes një njoftimi zyrtar, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e futbollistit.
Ngjarja tragjike lidhet me një përplasje të fortë në fushën e lojës ditën e djeshme mes De Miguel dhe portierit të Andorrës, Jesús Owono.
Pas incidentit, portieri u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa takimi i vlefshëm për La Liga 2 u ndërpre.
Në një komunikatë prekëse, CD Tenerife njoftoi se Jesús de Miguel ndërroi jetë këtë të martë, në orën 08:00.
Njoftimi zyrtar i CD Tenerife:
“Të shkatërruar nga dhimbja, me një nyje në fyt dhe ende në pamundësi për të besuar se kjo është e vërtetë, nga CD Tenerife njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të Jesús de Miguel Alameda, e ndodhur këtë të martë, më 3 nëntor 2026, në orën 08:00.
Nuk ka fjalë ngushëllimi dhe asgjë që mund ta lehtësojë këtë dhimbje të mbushur me trishtim. Jemi pranë familjes së tij të pikëlluar, pranë njerëzve të tij të dashur dhe pranë gjithë tifozëve të Tenerifes, të cilët sot vajtojnë këtë fund mizor.
Familja e Jesús de Miguel falënderon për çdo mesazh dhe shenjë mbështetjeje të marrë, ndërsa kërkon me gjithë zemër respekt maksimal për privatësinë e saj në këto momente të tmerrshme”.
Humbja e Jesús de Miguel ka tronditur klubin, tifozët dhe komunitetin e futbollit. Në këto momente të vështira, mendimet janë me familjen dhe të afërmit e futbollistit.








