Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Chiarit, në provincën e Breshias në Itali, ku një 21-vjeçar ka vrarë me thikë nënën e tij brenda banesës ku jetonin së bashku. Krimi ka ndodhur gjatë natës mes të hënës, 2 nëntor, dhe të martës, 3 nëntor, në rrugën Tagliata.
Viktima është identifikuar si Meleqe Lusha, 39 vjeçe, ndërsa autor i dyshuar i vrasjes është djali i saj, Eduart Xhani, 21 vjeç. Sipas raportimeve të medias italiane, të dy jetonin në të njëjtën banesë dhe familja ishte me origjinë shqiptare. I riu ka lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës.
Pas sulmit me thikë, 21-vjeçari është larguar nga banesa, duke ikur nga vendi i ngjarjes. Më pas ai ka udhëtuar drejt Kremonës, ku është vetëdorëzuar tek karabinierët.
Ndërkohë, pas njoftimit për ngjarjen, në banesë kanë mbërritur karabinierët, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes. Hetuesit po punojnë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur përpara sulmit fatal.
Deri më tani nuk janë bërë publike arsyet që e çuan të riun drejt këtij akti të rëndë dhe as nëse mes nënës dhe djalit kishte pasur konflikte të mëparshme. Autoritetet italiane po vijojnë hetimet.











