SYRI TV/ Banorët e Novoselës në alarm nga erozioni i Vjosës, rreziku i përmbytjeve në prag të reshjeve

10:56, 03/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lumi Vjosë vijon të përbëjë një shqetësim të vazhdueshëm për banorët e njësisë administrative Novoselë. Me afrimin e sezonit të reshjeve intensive, frika nga përmbytjet dhe avancimi i erozionit është rikthyer edhe një herë mes banorëve të kësaj zone.

Dalja e lumit nga shtrati në periudha me reshje të dendura ka shkaktuar ndër vite përmbytjen e banesave, dëmtimin e tokave bujqësore dhe marrjen e sipërfaqeve të konsiderueshme të tokës nga rrjedha e Vjosës.

Banorët shprehen të shqetësuar, pasi, sipas tyre, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për ndërhyrje, deri më tani nuk janë marrë masa konkrete për ndërtimin e pritave apo vendosjen e strukturave mbrojtëse përgjatë lumit.

Përveç rrezikut që u kanoset banesave gjatë prurjeve të mëdha, shqetësimi kryesor mbetet erozioni, i cili vit pas viti po gërryen tokat bujqësore dhe sipërfaqet e mbjella me pemëtari, duke u marrë banorëve hektarë të tërë toke.

Situata, sipas banorëve (sinkron), përsëritet çdo vit, ndërsa me afrimin e reshjeve të vjeshtës dhe dimrit frika bëhet edhe më e madhe. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për ndërtimin e pritave mbrojtëse dhe marrjen e masave për të frenuar avancimin e lumit drejt tokave dhe banesave të tyre.

Deri më tani, banorët thonë se nuk kanë parë ndërhyrjet e kërkuara, ndërsa çdo sezon që kalon shton sipërfaqet e tokës së humbur për shkak të gërryerjes nga lumi Vjosë.

Për banorët e Novoselës, frika nuk lidhet vetëm me një tjetër episod përmbytjesh, por edhe me humbjen e vazhdueshme të tokës bujqësore, e cila për shumë familje përbën burimin kryesor të të ardhurave.

Në prag të sezonit të reshjeve intensive, banorët kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë përpara se situata të përkeqësohet, në mënyrë që të mbrohen banesat, tokat bujqësore dhe ekonomia e familjeve që jetojnë përgjatë lumit Vjosë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco