
Debati për veprimtarinë e SPAK-ut dhe situatën politike në vend u zhvendos në Komisionin e Ligjeve, ku deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi akuzoi organin e akuzës se po tregohet pasiv përballë sjelljes së Policisë së Shtetit gjatë protestave. Sipas Bylykbashit, SPAK duhet të kishte nisur hetimet për zinxhirin drejtues të policisë, duke iu referuar rasteve të pretenduara të dhunës ndaj protestuesve. Ai e cilësoi mungesën e reagimit si shqetësuese dhe ngriti dyshime për qëllimin e mosveprimit.
“Unë prisja nga prokuroria të kishte filluar hetimin e të gjithë zinxhirit të komanduesve të Policisë së Shtetit për ato krime që kanë ndodhur gjatë protestave, për atë lloj brutaliteti i cili nuk ka lidhje me sjelljen sipas ligjit të Policisë së Shtetit”, deklaroi Bylykbashi. Deputeti i opozitës ripërsëriti gjithashtu kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeverie kujdestare dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, një qeveri e tillë duhet të garantojë që administrata shtetërore të mos ndikojë në procesin zgjedhor.
Bylykbashi kërkoi edhe miratimin e një kuadri të posaçëm ligjor që do të siguronte kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Vjen një qeveri kujdestare e cila ka një detyrë: të marrë masat që shteti të mos brutalizojë zgjedhjet, të mos ndërhyjë në zgjedhje. Parlamenti duhet të miratojë patjetër një kornizë ligjore kujdestarie që pengon shtetin të hyjë në zgjedhje”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, socialisti Ulsi Manja i hodhi poshtë kërkesat e opozitës, duke i cilësuar ato si pjesë të retorikës së saj të zakonshme politike. Sipas tij, Kuvendi duhet të përqendrohet te përgjegjësitë institucionale, veçanërisht miratimi i buxhetit dhe ligjeve që lidhen me integrimin europian të Shqipërisë. “Përtej qëndrimeve politike tashmë të njohura të opozitës, kjo që kolegu Bylykbashi bëri sot këtu është pjesë e ritualit të përditshëm dhe e një skenari të përditshëm që ka opozita”, deklaroi Manja.
Ai theksoi se mazhoranca nuk e sheh si të mundur skenarin e një qeverie kujdestare apo shpërndarjen e Kuvendit, duke nënvizuar se shumica parlamentare ka legjitimitetin dhe numrat e nevojshëm për të vijuar punën. “Ne kemi detyrën tonë dhe detyra jonë është të miratojmë buxhetin dhe ligjet që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nuk ka qeveri kujdestare”, përfundoi Manja.
