Erion Veliaj i është drejtuar me një letër GJKKO-së, duke kërkuar që ajo të lexohet publikisht gjatë seancës së sotme gjyqësore, ku ai vetë pritet të mungojë.
Në përmbajtjen e shkresës, Veliaj ka ripërsëritur qëndrimet e bëra publike gjatë 24 orëve të fundit lidhur me pretendimet për mesazhe kërcënuese që, sipas tij, i janë përcjellë nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Veliaj i ka kërkuar trupit gjykues që letra të lexohet në sallën e gjyqit, me qëllim garantimin e transparencës dhe vlerësimin ligjor të çështjes.
Një ditë më parë, përmes një reagimi publik dhe një letre të shkruar me dorën e tij, Veliaj pretendoi se Toni Gogu i kishte përcjellë një mesazh nga Edi Rama lidhur me transferimin dhe kushtet e qëndrimit në burg.
Sipas pretendimeve të kryebashkiakut, atij i ishte kërkuar të pranonte përfshirjen në organizimin ose financimin e protestave studentore, të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës dhe të ndërpriste komunikimin me avokatin Plarent Ndreca. Veliaj pretendoi gjithashtu se në rast refuzimi e kërcënonin me akuza të tjera dhe deri në 100 vite burg.





