Të shtunën trajneri i kombëtares shqiptare Rolando Maran do të publikojë listën me futbollistët e grumbulluar për dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve. Trajneri italian do të zbulojë lojtarët e thirrur në orën 11:00, ndërsa fill do të mbajë edhe konferencën për shtyp ku do të shpjegojë zgjedhjet e bëra.

Ndryshe nga grumbullimi në muajin shtator këtë herë lista pritet të jetë e përbërë me më pak se 29 futbollistë, pasi në axhendë janë 2 dhe jo 4 ndeshje. Pritet sërish të mungojë Thomas Strakosha, dëmtimi i të cilit rezultoi më i rëndë se sa pritej. Portieri ishte mungesa e vetme e AEK-ut në derbin me Panathinaikos dhe sipas trajnerit do të jetë gati pas ndeshjeve të kombëtareve. Për Shqipërinë do të jetë mungesë e rëndësishme, pasi mjafton fakti që të hënën Strakosha u zgjodh portieri më i mirë i sezonit të kaluar në kampionatin grek.

Mungesë e sigurtë është Armando Broja. Ndryshe nga muaji shtator kur ishte zgjedhje e Maran kësaj here sulmuesi është i dëmtuar. Më 24 tetor Broja la fushën i dëmtuar në ndeshjen Burnley-Lincoln dhe sipas trajnerit Celestini mund të qëndrojë jashtë fushe deri në 7 javë.

Grumbullimi i kuqezinjve do të nisë të hënën e 9 nëntorit, ndërsa kanë shumë pak kohë për t’u përgatitur. Më 12 nëntor në Air Albania kombëtarja luan kundër Finlandës në Air Albania në orën 20:45, ndërsa me 15 nëntor përballen në transfertë kundër Bjellorusisë në orën 18:00. Aktualisht kuqezinjtë mbajnë vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve në Ligën C me 9 pikë, 2 më shumë se Bjellorusia e vendit të dytë dhe po aq sa nga Finlanda e vendit të tretë.