FIFA paguan miliona për faturën tatimore në SHBA të Gianni Infantino-s

Futboll Bota | 7 minuta më parë

FIFA ka paguar taksat e kreut të saj, Gianni Infantino me një kosto që pritet të arrijë në rreth 4 milionë dollarë. Kjo është bërë pa i bërë publike këto shpenzime, pavarësisht premtimeve për transparencë.

Siç raportoi të hënën gazeta “New York Times”, një komitet prej tre personash në organin drejtues të futbollit botëror, në të cilin bënte pjesë edhe një mik i Infantinos, vendosi në vitin 2024 që FIFA të mbulonte faturën e taksave.

Kjo ndodhi në kohën kur Infantino u shpërngul nga Zvicra (ku taksat janë të ulëta) në Miami, Florida, ku pritej që taksat do të ishin më të larta.

Debbie Hewitt dhe Bruno Chiomento

Miku në fjalë, Bruno Chiomento, i cili mban postin e kreut të qeverisjes, auditimit dhe pajtueshmërisë në FIFA, pretendoi para komitetit se Infantinos duhet t’i mbuloheshin taksat amerikane, duke qenë se organizata po e bënte të njëjtën gjë për rreth një duzinë punonjësish të tjerë që po shkonin në SHBA përpara Kupës së Botës verën e kaluar.

Sipas artikullit dy anëtarët e tjerë të komitetit ranë dakord, por nuk e bënë kurrë të ditur vendimin në dokumentet zyrtare.

Sipas raportimeve, Chiomento, ish-kreu i degës zvicerane të “Ernst & Young”, kërkoi këshilla lidhur me këtë vendim nga avokati personal i Infantinos, David Zollinger.

Sipas “The Times” zyrtarë të lartë të FIFA-s e vunë në dyshim vendimin dhe mesazhin që ai përcillte, për më tepër, ata shprehën shqetësime për një konflikt të mundshëm interesi që lidhej me marrëdhënien mes Infantinos dhe Zollingerit. A.V.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme