
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka rikthyer në vëmendje nevojën për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, duke kërkuar që ndryshimet e ardhshme të marrin në konsideratë problematikat e evidentuara në zgjedhjet e mëparshme.
Gjatë një deklarate për mediat, Celibashi theksoi se reforma zgjedhore duhet të kishte adresuar tashmë çështjet problematike, por sipas tij, ekziston ende një hapësirë kohore që partitë politike të dakordësojnë ndërhyrjet e nevojshme. Ai vuri në dukje veçanërisht nevojën për të përcaktuar më qartë rolin e institucioneve shtetërore në procesin zgjedhor, si dhe për të forcuar mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes.
”Ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të synojnë rregulla më të qarta për efikasitet dhe mekanizma kontrolli dhe mbikëqyrjeje”, tha Celibashi, duke nënvizuar se problematikat e proceseve të kaluara duhet të marrin zgjidhje përmes kuadrit të ri ligjor. Një tjetër çështje që sipas kreut të KQZ-së, kërkon ndërhyrje është përshtatja e Kodit Zgjedhor me ligjin e ri për ndarjen administrativo-territoriale.
Celibashi argumentoi se ndryshimet territoriale sjellin nevojën për rishikimin e dispozitave që rregullojnë zgjedhjen e anëtarëve të këshillave bashkiakë, si dhe mënyrën e përfaqësimit të rajoneve dhe njësive të ndryshme territoriale. “Miratimi i ligjit të ri për ndarjen administrative-territoriale kërkon harmonizim të dispozitave të Kodit Zgjedhor”, deklaroi ai.
Në këtë kontekst, kreu i KQZ-së u bëri thirrje partive politike të marrin përgjegjësinë për procesin e ndryshimeve ligjore, duke theksuar se përfaqësimi territorial duhet të jetë një prej elementeve që do të trajtohen në kuadër të reformës.
