Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka kërkuar ndërhyrje urgjente për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në funksion të hartës së re territoriale.
Në një komunikim me gazetarët, Celibashi paralajmëroi se nëse ndryshimet nuk miratohen deri në fund të këtij viti, mund të krijohen probleme praktike në organizimin e procesit zgjedhor.
Ai theksoi se Kuvendi dhe partitë politike duhet të angazhohen pa vonesa për të adresuar ndryshimet e nevojshme ligjore.
Duke folur për përgjegjësitë institucionale, kreu i KQZ-së nënvizoi se organizimi dhe administrimi i zgjedhjeve është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucionit që ai drejton, por theksoi se edhe qeveria ka një rol të rëndësishëm në përgatitjen e procesit.
Celibashi u bëri thirrje institucioneve që të demonstrojnë angazhimin e tyre për garantimin e integritetit të zgjedhjeve.
“Nëse këto ndryshime shkojnë tej fundit të këtij viti, jo vetëm nga pikëpamja praktike do krijojnë problem, por shpresoj që partitë politike, apo Kuvendi më mirë do të duhet të angazhohen në mënyrë urgjente për të adresuar ndryshimet e Kodit zgjedhor të cilat kanë si shkak hartën e re territoriale. Për akte dhe veprime konkrete të qeverisë dhe institucione të tjera, kemi detyrim të shprehemi sa herë paraqitet një kërkesë e tull. Doja të thoja që kjo është çështje që mund të jetë objekt i një shqyrtimi dhe tej kësaj mund të ketë një koment që nuk më lejohet që të mund ta bëj. Sapo e afirmova në deklarimin tim se përgatitja e procesit zgjedhor është përgjegjësi e dorës së parë sa i përket organizimit , administrimit të rolit të KQZ. Por Qeveria ka një rol të dorës së parë në këtë proces jo vetëm këtu, por kudo në botë. Roli i saj është i rëndësishëm në procesin e përgatitjes së procesit zgjedhor. Dhe thirrja ishte e qartë për qeverinë dhe për këdo që duhet të demonstrojë angazhimin e vet institucional për të garantuar integritetin e këtij procesi zgjedhor. Shpresoj që në këto zgjedhje të anashkalojmë të gjithë këto diskutimet, për ngërçin , vjedhje sepse në kuadrin ne do të duhet ta kalojmë këtë provë me sukses të plotë. Nuk besoj se dikush do të mbyllë sytë nëse zgjedhje në Shqipëri nuk do të marrin certifikatën e standardit të BE. Ne jemi të angazhuar, por të gjithë duhet të marrin përgjegjësi”, tha ai.
