Zgjedhjet vendore/ Celibashi: Të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR, të harmonizohet Kodi Zgjedhor me hartën e re territoriale

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka kërkuar marrjen e masave për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR në kuadër të zgjedhjeve vendore të 9 majit. Gjatë një deklarate për mediat, Celibashi u ndal te nevoja për ndryshime në Kodin Zgjedhor, në funksion të ndarjes së re administrative-territoriale, si dhe te zgjerimi i votimit dhe numërimit elektronik në sa më shumë bashki.
Sipas kreut të KQZ-së, miratimi i hartës së re territoriale kërkon harmonizimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor me organizimin e ri të pushtetit vendor, veçanërisht për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe përfaqësimin e njësive të ndryshme territoriale.
“Miratimi i ligjit të ri për ndarjen administrative-territoriale, për sa e kemi parë, çmojmë se kërkon harmonizim të dispozitave të Kodit Zgjedhor me organizimin e ri territorial. Në mënyrë të veçantë duhet të rishikohen dispozitat që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë, kriteret e përcaktimit të numrit dhe strukturën e përfaqësimit të rajoneve të ndryshme apo të njësive të ndryshme territoriale brenda një njësie vendore”, deklaroi Celibashi.
Ai theksoi se partitë politike dhe Kuvendi duhet të angazhohen për ndryshimet përkatëse ligjore, në mënyrë që procesi zgjedhor të përshtatet me organizimin e ri territorial.
“Edhe ligji për ndarjen e re administrative-territoriale, në kuptim të përgatitjes së procesit zgjedhor, ngelet e rëndësishme që partitë politike, Kuvendi i Shqipërisë të angazhohen për të bërë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor, për të mundësuar nga pikëpamja e procesit zgjedhor ato kërkesa që lidhen me përfaqësimin e qeverisjes vendore, të cilat kam menduar të jenë ndryshe nga sa janë sot”, u shpreh kreu i KQZ-së.
I pyetur lidhur me paralajmërimin e Partisë Demokratike për ta kundërshtuar hartën e re territoriale në Gjykatën Kushtetuese, Celibashi deklaroi se KQZ-ja do të vijojë përgatitjet mbi bazën e ligjit në fuqi, pa paragjykuar veprimet ligjore të palëve të interesuara.
“Ne e kemi në fuqi sot ligjin për ndarjen e re territoriale dhe s’kemi arsye për të hamendësuar se çfarë do të ndodhë në lidhje me veprime të ndryshme ligjore të palëve të interesuara me këtë ligj. S’kemi shkak ligjor për të diskutuar për këtë çështje. Jemi të angazhuar që prej ditës së djeshme që të gjitha masat që lidhen me përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme t’i përshtasim me ndryshimet e reja të ndarjes territoriale”, deklaroi ai.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte votimi dhe numërimi elektronik. I pyetur për kundërshtimin e Partisë Demokratike ndaj propozimit për shtrirjen e këtij procesi në të paktën katër bashki, si dhe për qëndrimin e Partisë Socialiste që teknologjia të përdoret në të gjithë Bashkinë e Tiranës, Celibashi ritheksoi se qëndrimi i KQZ-së mbetet i pandryshuar. Ai u shpreh se institucioni që drejton synon zgjerimin sa më të madh të votimit dhe numërimit elektronik, por theksoi se për këtë çështje duhet të arrihet një konsensus mes forcave politike.
“Pikëpamja jonë si institucion në lidhje me votimin dhe numërimin elektronik është e pandryshuar. Ne kemi dashur dhe duam që kjo mënyrë të shtrihet sa më gjerë edhe në këto zgjedhje. PD është partia kryesore e opozitës dhe, përtej komenteve, është fakt në gjykimin tim që s’mund të lejojmë qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje, edhe pse shkaqet që kjo parti e kundërshton nuk qëndrojnë në mënyrë absolute.
Por ata janë në lirinë e tyre për të mbajtur një qëndrim në lidhje me këtë çështje. KQZ nuk është palë në këtë diskutim, as me PD-në dhe as me partitë e tjera.
Kjo është çështje e vetë partive politike. Mazhoranca duhet të angazhohet në një komunikim me PD-në apo partitë e tjera për këto çështje dhe do të ishte mirë të kishte një konsensus. Përndryshe, për KQZ-në mbetet thuajse e pamundur që të kënaqë interesat e njërës anë dhe të mos shkojë në kundërshtim të plotë me interesat e palës tjetër”, u shpreh Celibashi.
Kreu i KQZ-së kundërshtoi gjithashtu pretendimet e Partisë Demokratike lidhur me sigurinë e sistemit elektronik të votimit dhe numërimit. “Shkaqet dhe pretendimet e ngritura nga PD në lidhje me sigurinë e këtij sistemi nuk qëndrojnë”, deklaroi ai.
Celibashi theksoi më tej se KQZ po shqyrton mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale për të asistuar procesin e numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit në zgjedhjet e ardhshme. Ai bëri të ditur se teknologjia do të provohet fillimisht në një projekt eksperimental, i cili parashikohet të zhvillohet në dy zona zgjedhore. Njëra prej tyre do të jetë në Tiranë, ndërsa për zonën e dytë po shqyrtohen si mundësi Lezha dhe Lushnja.
Sipas Celibashit, qëllimi është të shihet se sa mund të ndihmojë inteligjenca artificiale në procesin e administrimit të votave, pa zëvendësuar procedurat aktuale të parashikuara nga legjislacioni zgjedhor.
Kreu i KQZ-së theksoi se rezultatet e këtij testimi do të shërbejnë vetëm për të vlerësuar funksionimin e teknologjisë dhe nuk do të kenë asnjë efekt në rezultatin zyrtar të zgjedhjeve.
“Po synojmë që ta aplikojmë edhe në këto zgjedhje, si projekt pilot, përdorimin e inteligjencës artificiale për numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit. E qartësoj dhe për të mos pasur asnjë diskutim në lidhje me këtë më pas, rezultatet e këtij projekti nuk janë konkurruese me atë çfarë parashikon sot ligji për numërimin e fletëve të votimit dhe nxjerrjen e rezultatit”, deklaroi Celibashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




