Avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, është shprehur se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e ka takuar Veliajn në paraburgimin e Fierit, në orën 10:30 të darkës, në zyrën e drejtorit të Burgut.
Takimi sipas Ndrecës është zhvilluar ‘kokë më kokë’, gjë që sipas tij është jo-normale, pasi ministri mund të shkojë në një institucion të vuajtjes së dënimit për inspektim, por jo për takime private me të pandehur që janë duke u gjykuar.
Duke folur për mediat pas shtyrjes së seancës gjyqësore ndaj Veliajt në Gjykatën e Posaçme, Ndreca tha se Veliaj ka mbajtur shënime gjatë takimit me Gogun, të cilat sipas avokatit, janë të disponueshme edhe prej tij. Ai tha gjithashtu se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte detyrim që të njoftonte Gjykatën për vendimin e transferimit të Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.
“Siç ju e konstatuat, rezultoi në momentin që Drejtoria e Burgjeve ka marrë vendim për të transferuar Veliajn, nuk e ka njoftuar Gjykatën, në shkelje të detyrimit të saj. Gjykata tha se ky material që ka çuar Veliaj do i referohet institucioneve përkatëse. Ne si grup ligjor i Veliajt do e vlerësojmë nëse ka vepër penale. Unë do tentoj ta takoj sot, nëse jo, do të ngelet për nesër.
Veliaj më ka informuar dhe më ka dhënë edhe shënimet që ka mbajtur gjatë takimit me Gogun. Është edhe një grup avokatësh të huaj që po merren me këtë çështje. Sa i përket pjesës së dytë, s’ka asnjë kërkesë të Veliajt për të takuar ministrin e Drejtësisë.
Ministri nuk mund të shkojë në këtë orar, në orën 10:30 të darkës. Ministri i Drejtësisë ka të drejtë të inspektojë kushtet e institucionit, por s’mund të takohë kokë më kokë një të pandehur që është nën gjykim nga gjykata, në zyrën e drejtorit të burgut”, tha mes të tjerash Ndreca.
Lajmi kryesor:
Transferimi në Fier/ Veliaj letër GJKKO-së: Rrëmbim me urdhër të Ramës, duhet hetuar! Gjykata: Ndiq rrugën ligjore! Ndreca: Kallëzim, Gogu shkeli ligjin me takimin! Shtyhet gjyqi







