Vdekja e papritur e Jesús de Miguel, futbolli ka njohur tragjedi të tjera

Vdekja e papritur e Jesús de Miguel, futbolli ka njohur tragjedi të tjera

11:55, 03/11/2026

Futbolli spanjoll është në zi pas vdekjes së Jesús de Miguel. Fatkeqësisht, ai nuk është futbollisti i parë që humb jetën si pasojë e një përplasjeje apo ndërhyrjeje të rëndë gjatë një ndeshjeje. Historia e futbollit, në Spanjë dhe në arenën ndërkombëtare, njeh disa raste tragjike kur dëmtimet e pësuara në fushë kanë rezultuar fatale.

Tenerife konfirmoi në orën 09:30 ndarjen nga jeta të Jesús de Miguel. Sulmuesi i skuadrës kanariane kishte shfaqur komplikacione gjatë natës. Komunikata e klubit, e publikuar në orën 05:00 të mëngjesit, ku njoftohej për përkeqësimin e gjendjes së tij neurologjike, nuk linte shumë shpresa. Në orën 08:00 të së njëjtës ditë, futbollisti ndërroi jetë.

Ky nuk është rasti i parë kur futbolli përballet me humbjen e një lojtari pas një përplasjeje në fushë. Disa prej tragjedive më të rënda janë:

Raúl Ramírez. Vetëm një vit më parë, në shtator 2025, portieri i Club Deportivo Colindres humbi jetën pas një goditjeje në kokë gjatë ndeshjes kundër Revilla de Camargo, në kategorinë Tercera RFEF. ‘Gardiani’ qëndroi për dy ditë i shtruar në spitalin Valdecilla të Santanderit. Ai pësoi arrest kardiorespirator dhe ndërroi jetë dy ditë pas përplasjes, në moshën 19-vjeçare.

José Antonio Gallardo. Në vitin 1986, portieri i Malagës humbi jetën pas një përplasjeje aksidentale. Ngjarja kishte ndodhur më 21 dhjetor 1985, gjatë ndeshjes kundër Celta Vigos në stadiumin Balaídos, kur Gallardo u përplas me Baltazar-in në luftën për topin. Ekzaminimet fillestare zbuluan vetëm një frakturë të trefishtë në kockën parietale të majtë. Megjithatë, gjendja e tij u përkeqësua gradualisht. Portieri ra në koma dhe ndërroi jetë më 15 janar, në moshën 26-vjeçare.

Akli Fairuz. Një tjetër rast tragjik në futbollin ndërkombëtar ndodhi në vitin 2014. Futbollisti indonezian, i cili aktivizohej me Persiraja, mori një goditje në bark nga portieri i PSAP Sigli. Ai qëndroi gjashtë ditë në spital, por nuk arriti të mbijetonte për shkak të dëmtimeve të shkaktuara në fshikëzën urinare.

Serhiy Perkhun. Tragjedia goditi edhe futbollin rus në vitin 2001. Portieri i CSKA Moskës u përplas kokë më kokë me sulmuesin e Anzhi Makhachkala, Budun Budunov. Fillimisht dëmtimi nuk u konsiderua shumë i rëndë, por gjatë transportimit drejt spitalit portieri ra në koma. Ai ndërroi jetë disa ditë më vonë, si pasojë e një edeme cerebrale.

John Thomson. Portieri skocez i Celtic-ut humbi jetën në vitin 1931, në moshën vetëm 22-vjeçare. Gjatë një ndeshjeje, ai u përplas me gjurin e futbollistit të Rangers, Sam English. Goditja i shkaktoi një frakturë të kafkës dhe Thomson ndërroi jetë disa orë më vonë në spital.

Këto raste të rënda dëshmojnë se futbolli, pavarësisht se është një sport i ndjekur nga miliona njerëz, ka njohur edhe tragjedi që kanë lënë gjurmë të dhimbshme në historinë e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco