Jan Oblak vazhdon të shkruajë historinë tek Atlético Madridi. Portieri slloven ka barazuar rekordin e Adelardos, duke arritur në kuotën e 553 ndeshjeve me fanellën e klubit madrilen dhe duke u ngjitur në vendin e dytë mes futbollistëve me më shumë prezenca në historinë e skuadrës.
Për të arritur këtë shifër është dashur të kalojnë 46 vite, katër muaj dhe 17 ditë nga koha kur Adelardo regjistroi ndeshjen e tij të fundit, më 1 maj 1976. Tashmë, pas kapitenit Koke, i cili mban rekordin absolut, edhe Oblak i bashkohet historisë së madhe të klubit.
Portieri slloven e ka merituar këtë status falë vazhdimësisë dhe paraqitjeve të jashtëzakonshme ndër vite. Në 14 ndeshjet e këtij sezoni ka regjistruar shtatë porta të paprekura dhe ka pësuar vetëm 11 gola. Ai kryeson gjithashtu renditjen për trofeun Zamora, çmimi që i jepet portierit me mesataren më të mirë të golave të pësuar në kampionatin spanjoll.
Në total, Oblak ka mbajtur portën të paprekur në 192 nga 552 ndeshjet e mëparshme me Atlético Madridin, ose në 46.8 për qind të rasteve. Gjatë kësaj periudhe ka pësuar 483 gola, me një mesatare prej 0.87 golash për ndeshje.
Një nga paraqitjet e tij më të paharrueshme në Champions League erdhi kundër Bayernit të Mynihut, në vitin 2016. Në ndeshjen e zhvilluar në Mynih, Oblak realizoi nëntë pritje, duke u bërë vendimtar për kualifikimin e Atlético-s në finalen e kompeticionit.
Ai kishte shkëlqyer edhe një sezon më parë, kundër Bayer Leverkusenit, kur u aktivizua në vend të Moyas pas një dëmtimi të këtij të fundit. Në atë përballje, portieri slloven u bë heroi i madrilenëve në serinë e penalltive, duke ndihmuar skuadrën të siguronte kualifikimin në çerekfinale.
Tashmë, në moshën 33-vjeçare, Oblak vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të skuadrës së Diego Simeones. Barazimi i rekordit të Adelardos është një tjetër dëshmi e rëndësisë së tij në historinë e Atlético Madridit, ku ai konsiderohet ndër portierët më të mëdhenj që kanë mbrojtur ndonjëherë këtë fanellë.
© SYRI.net
Vdekja e papritur e Jesús de Miguel, futbolli ka njohur tragjedi të tjera
Tenerife shpall tri ditë zi për Jesús de Miguel: Nuk ka fjalë që mund ta ngushëllojnë këtë dhimbje
Piqué, i tronditur nga vdekja e Jesús de Miguel: Më vjen keq me gjithë shpirtBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: