Bastisje në Shtip dhe Shkup, nën hetim një zyrtar i Universitetit ‘Goce Dellçev’”

Zyrtarët policorë po kryejnë bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në kuadër të një hetimi ndaj një drejtuesi të sektorit të informatikës në Universitetin “Goce Dellçev” (UGD).
Ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dëmtim dhe qasje të paautorizuar në sistemin kompjuterik.
“Me urdhër gjykate, të siguruar nga Prokuroria Themelore Publike e Shtipit, po kryhen bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në lidhje me veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar’ dhe ‘dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistemin kompjuterik’, të dyshuara se janë kryer nga R.T., drejtues i sektorit të informatikës në Universitetin ‘Goce Dellçev’ në Shtip. Pas përfundimit të plotë të aksionit, do ta informojmë publikun në mënyrë përkatëse”, njoftojnë nga MPB.
Aksionin po e realizojnë zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë Kriminalistike, Sektori për Punë të Brendshme në Shtip, Sektori për Punë të Brendshme në Shkup dhe Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Rektorati i Universitetit "Goce Delçev" - Shtip i cili tha se UGD ofron bashkëpunim të plotë dhe të pakufizuar me Ministrinë e Brendshme dhe prokurorinë kompetente për një sqarim të shpejtë dhe të plotë të rastit.
UGD ka tolerancë zero për korrupsionin dhe abuzimin në komunitetin akademik dhe ne besojmë se raste të tilla dhe të ngjashme kanë për qëllim sigurimin e studimeve më të mira, me cilësi më të lartë dhe më objektive.
"Ne duam të sigurojmë komunitetin akademik, kryesisht studentët tanë, stafin mësimdhënës dhe administrativ, si dhe publikun e gjerë, se UGD mbetet i përkushtuar ndaj vlerave themelore akademike, ndershmërisë dhe vërtetësisë, dhe mbetet proaktiv në luftimin e fenomeneve devijante. Studentët tanë dhe arsimimi i tyre mbeten në qendër të të gjitha aktiviteteve tona. Procesi mësimor, detyrimet akademike, puna kërkimore shkencore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me një numër universitetesh të njohura evropiane vazhdojnë të jenë prioriteti ynë", thonë nga UGD./Telegrafi/









































