Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, kërkoi që të merren masa konkrete për të garantuar paanshmërinë e administratës publike gjatë procesit për zgjedhjet vendore të 9 majit, si dhe të parandalohet përdorimi i funksioneve dhe burimeve shtetërore në favor të subjekteve politike.
Në një komunikim për mediat, Celibashi theksoi se masat e ndërmarra nga qeveria duhet të jenë efektive dhe të parandalojnë jo vetëm ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor, por edhe çdo situatë që mund të krijojë dyshime të arsyeshme për ndikimin e shtetit në konkurrimin mes partive politike.
Të lidhura
None found
“Qeveria duhet të marrë masat për të garantuar paanshmërinë e administratës publike dhe për të parandaluar përdorimin e funksioneve publike për qëllime zgjedhore dhe burimet e aseteve shtetërore në favor të subjekteve zgjedhore. Këto masa, sikurse rekomandohet edhe në raportet e vëzhgimit ndërkombëtar, duhet të jenë efektive, duke shmangur jo vetëm ndërhyrjet e paligjshme por edhe situatat që krijojnë dyshime të arsyeshme për ndikimin e shtetit në konkurrimin zgjedhor”, shprehet Celibashi.
Duke folur për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, kreu i KQZ-së përmendi rëndësinë e adresimit të problematikave të evidentuara në proceset e mëparshme zgjedhore, si dhe të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
“Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e 9 majit, është me rëndësi që të adresohen nëpërmjet ndryshimeve në Kodin Zgjedhor problematikat e proceseve të mëparshme zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ndër çështjet që kërkojnë ndërhyrje janë ato që kanë të bëjnë me rolin e shtetit në përgjithësi në procesin zgjedhor dhe sjelljen e administratës publike në këtë proces, rregullat me financimin e subjekteve dhe kontrollin e shpenzimit të fushatës zgjedhore, organizimin e funksionimin e komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë dhe përmirësimin e procedurave për numërimin e votave dhe rezultatit. Ndryshimet duhet të synojnë rregulla më të qarta, për administrim më funksional, dhe mekanizma kontrolli më efektive. E rëndësishme që reforma zgjedhore duhet të kishte adresuar një pjesë të këtyre çështjeve por ka edhe pak kohë që për një pjesë të tyre palët politike të punojnë për t’i adresuar”, shtoi ai.
Më tej, ai shtoi edhe rëndësinë e harmonizimit të Kodit Zgjedhor me ndarjen e re territoriale.
“Miratimi i ligjit të ri për ndarjen administrativo territoriale, për sa është bërë publike, kërkon harmonizim të dispozitave të Kodit Zgjedhor me organizimin e ri territorial. Duhet të rishikohen dispozitat që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit bashkiak, kriteret dhe të themi strukturën e përfaqësimit të rajoneve apo njësive të ndryshme brenda një njësie vendore. Edhe ligji për ndarjen e re territoriale në kuptim të përgatitjes të procesit zgjedhor, është disi i vonuar. Por e rëndësishme ngelet që partitë të angazhohen për të bërë ndryshimet përkatëse në kodin zgjedhor për të mundësuar ato kërkesa që kanë menduar se lidhen me përfaqësimin e qeverisjes vendore që të jenë ndryshe nga sa janë sot“, shtoi ai.








