Revolta studentore vijon edhe këtë të martë, më 3 nëntor, me bojkotimin e auditoreve dhe thirrje për zgjerimin e protestës në të gjitha fakultetet e vendit.
Një grup studentësh kanë mbërritur sot te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, ku u janë drejtuar bashkëmoshatarëve të tyre me thirrjen për t'iu bashkuar revoltës dhe për të bojkotuar procesin mësimor.
“Bojkotoni, protestoni!”, kanë qenë thirrjet e studentëve, të cilët po lëvizin nëpër fakultete të ndryshme të kryeqytetit, duke kërkuar që edhe të rinjtë e tjerë të mos qëndrojnë indiferentë përballë situatës politike në vend.
Ndërkohë, në rrugët e Tiranës vijojnë të dëgjohen thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama: “Jep dorëheqjen!” dhe “Poshtë komunizmi!”.
Pavarësisht ditëve të kaluara, studentët po vijojnë bojkotin e mësimit dhe mobilizimin në universitete, me synimin për ta shtrirë revoltën në të gjitha fakultetet dhe për të shtuar presionin ndaj qeverisë.
© SYRI.net