Rama: Synojmë mbylljen e negociatave me BE-në deri në fund të vitit 2027

Politikë | 13 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka folur për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke shprehur besimin se vendi mund të përmbyllë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027. Gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e Zgjerimit të Euronews, Rama u shpreh se përvoja e tij në krye të qeverisë e ka bërë të kuptojë se premtimet dhe afatet e vendosura nga Bashkimi Europian nuk realizohen gjithmonë sipas parashikimeve.

Kryeministri theksoi se Shqipëria po punon mbi një plan të përbashkët me Komisionin Europian, me synimin për të mbyllur negociatat brenda afatit të përcaktuar.

“Nuk jam kaq i ri në këtë detyrë dhe kam parë gjëra që s’do t’i besonit. Unë shoh afate që janë fashitur rrugës, se si BE nuk i ka realizuar premtimet e veta, se si BE është i aftë të realizojë më shumë nga sa pret. Nuk i dihet kurrë me BE-në. Ajo çfarë di si fakt është që ne po punojmë shumë fort me një plan të përbashkët, një plan i mbështetur plotësisht nga Komisioni, për t’i përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027. Ndërsa flasim, gjithçka po ecën në përputhje me planin. Nëse do të vazhdojë kështu deri në fund të vitit tjetër, do t’i përmbyllim negociatat dhe kjo do të jetë absolutisht thelbësore, sepse do të nënkuptojë që ne kemi bërë punën tonë dhe kur vjen puna te 27 vendet anëtare, kjo është më e ndërlikuar”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se përmbushja e këtij objektivi do të ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi më pas procesi do të kalojë në një fazë tjetër, ku do të kërkohet miratimi nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Deklaratat e Ramës vijnë në kuadër të përpjekjeve të Shqipërisë për të përshpejtuar procesin e integrimit dhe për të përmbushur kriteret e kërkuara për anëtarësimin në familjen europiane.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme