“Po më provokon?” Rama humb durimin përballë gazetares
Maria Tadeo “tërbon” kryeministrin
Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një moment debati me gazetaren Maria Tadeo gjatë një interviste në kuadër të samitit “Enlargement Summit”, ku në fokus ishte jo vetëm rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por edhe situata e tensionuar politike dhe protestat e zhvilluara në Tiranë.
Biseda mori një tjetër drejtim kur gazetarja e pyeti Ramën për mënyrën se si policia kishte ndërhyrë gjatë protestave dhe për pretendimet e tij se pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale nuk pasqyrojnë të gjithë realitetin e përplasjeve.
Kryeministri këmbënguli në qëndrimin e tij se efektivët e policisë kishin pësuar më shumë lëndime sesa protestuesit. Sipas Ramës, në përplasjet e fundit policia kishte qenë pala më e dëmtuar, ndërsa vëmendja e mediave dhe rrjeteve sociale ishte përqendruar kryesisht te pamjet që tregonin ndërhyrjen e uniformave blu.
Ai argumentoi se rrjetet sociale kanë krijuar një realitet paralel, ku pamjet dhe informacionet që shpërndahen ndikojnë në mënyrën se si publiku percepton ngjarjet. Rama pretendoi se kjo situatë po krijon një përballje gjithnjë e më të vështirë mes realitetit dhe mënyrës se si ai paraqitet në hapësirën digjitale.
Por gazetarja Maria Tadeo nuk e la pa kundërshtuar këtë argument. Ajo vuri në dukje se ekziston një dallim thelbësor mes dhunës së ushtruar nga protestuesit dhe asaj të policisë, pasi efektivët janë të pajisur me armë dhe kanë një përgjegjësi tjetër gjatë menaxhimit të protestave.
Kjo ndërhyrje duket se e vuri kryeministrin në pozita debati, duke e bërë atë të reagojë drejtpërdrejt ndaj gazetares me pyetjen: “Po më provokon që të kemi diskutim apo e ke seriozisht?”
Në vijim të përgjigjes, Rama u ndal edhe te qëndrimi i tij për vazhdimin në detyrë, duke deklaruar se do të largohet nga posti kur të arrijë në përfundimin se ai dhe qeveria e tij nuk kanë më nevojë të ndryshojnë.
Debati mes Ramës dhe gazetares Maria Tadeo:
Edi Rama: Është e ndërlikuar, duhet një ditë ta shpjegojmë. Shqipëria është në një tjetër fazë. Kemi bërë një hap historik, nga një vend me pritshmëri të larta. Njerëzit në vend kanë tashmë pritshmëri të larta. Vjen një moment në kohë kur duhet të përballesh jo më me nevoja, por me pritshmëri të larta. Nuk jemi vetëm ne, po ndodh gjithkund.
Do të ishte më e ndërlikuar, ma ha mendja, për vende që ende nuk e shohin se çfarë po vjen. Kemi një realitet të ri që po sfidon realitetin e medias sociale. Janë dy botë të ndryshme. E kam parë dhe përjetuar personalisht dhe mund ta vlerësoj si një fuqi për të krijuar një përballje skizofrenike me realitetin.
Kishim protestues të dhunshëm dhe kishim dyfishin e të lënduarve nga policia. Policia ishte pala më e dëmtuar në protesta. Por në mediat sociale dhe mediat që marrin lajmet nga mediat sociale do të shihnit dhe mendonit për brutalitetin e policisë. Duhet të përballemi me një brez që po rritet në realitetin e vet, nuk është e lehtë.
Maria Tadeo: Herën e fundit që folëm, më thatë se besonit që situata ishte fryrë nga mediat sociale. Dikush mund të thotë se ka një ndryshim mes dhunës së policisë dhe asaj të protestuesve, sepse policia ka armë.
Edi Rama: Po më provokon që të kemi diskutim apo e ke seriozisht? Kur të mendoj se unë dhe qeveria nuk kemi nevojë të ndryshojmë, do ta lë këtë punë. Jeta ime është ndryshim, edhe në martesë kam ndryshuar. Kjo është ajo që kam gjithë kohës në mendje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



