Tre persona janë arrestuar në Kosovë në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar kriminal, i cili dyshohet se mashtronte qytetarë përmes platformave të rreme të investimeve dhe qendrave të thirrjeve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, me urdhër të kësaj prokurorie dhe në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.


“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar tre persona M.P., I.H., dhe F.Z.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Të arrestuarit dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mashtrim, hyrje të paautorizuar kompjuterike dhe mashtrim kompjuterik.

Sipas Prokurorisë, personat e dyshuar, duke u paraqitur si agjentë apo ndërmjetës financiarë, kanë mashtruar qytetarë, kryesisht gjermanishtfolës, duke i bindur që të transferonin para për investime të pretenduara në instrumente financiare dhe kriptovaluta.

“Fitimet e paraqitura në platformat përkatëse dyshohet se ishin fiktive, ndërsa mjetet e transferuara nuk investoheshin sipas premtimeve të dhëna”, thuhet më tej në njoftim.

Gjatë kontrolleve në pesë lokacionet janë sekuestruar përkohësisht vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Ky operacion është pjesë e një aksioni më të gjerë ndërkombëtar, ku kontrolle janë zhvilluar edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në Kosovë, aksioni është realizuar në koordinim me autoritetet gjermane, ndërsa gjatë zbatimit të urdhërkontrolleve kanë qenë të pranishëm prokurorë dhe hetues nga Gjermania, si dhe ekspertë të kibernetikës nga Europol.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht veprimtarinë e dyshuar, për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë dhe për të gjurmuar pasurinë që mund të ketë prejardhje nga veprat penale. /Telegrafi/