Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur lirimin nga qelia të Embro Sulejmanit, i dyshuar për ndihmën që i ka dhënë biznesmenit Ergys Agasi gjatë kohës kur ky i fundit ishte në kërkim nga autoritetet.
Apeli i GJKKO-së ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj Sulejmanit, duke e zëvendësuar atë me “Detyrim paraqitje”.
Embro Sulejmani, administrator i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, kishte mohuar akuzat gjatë dëshmisë së tij paraprake në GJKKO, duke deklaruar se nuk kishte kryer asnjë vepër penale dhe se nuk kuptonte se për çfarë akuzohej.
Ai u arrestua më 22 shtator, nën dyshimin se kishte ndihmuar Ergys Agasin duke fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në momentin kur biznesmeni kishte hyrë në lokalin e bllokut qeveritar në Durrës. Sipas dyshimeve të hetuesve, ky veprim ishte kryer për të fshehur gjurmët e frekuentimit të Agasit në këto ambiente.