
Avokati i njohur Saimir Vishaj është ndarë nga jeta ditën e sotme, në moshën 60-vjeçare, pas disa ditësh i shtruar në Spitalin e Traumës, ku po merrte trajtim mjekësor për shkak të dëmtimeve të rënda që kishte pësuar nga një rrëzim. Lajmi i ndarjes së tij nga jeta rikthen në vëmendje karrierën gati tredekadëshe të një prej figurave të njohura të avokatisë penale në Shqipëri.
I diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1996, Vishaj e nisi ushtrimin e profesionit të avokatit në vitin 1998. Përgjatë viteve, ai u përfshi në një sërë çështjesh të rëndësishme gjyqësore, duke u bërë një emër i njohur në sallat e gjyqeve dhe në debatet publike për sistemin e drejtësisë.
Prej vitit 2009, ai drejtonte Shoqatën e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë. Krahas aktivitetit si avokat, Vishaj kishte ushtruar edhe detyrën e pedagogut në universitete private dhe në Shkollën Kombëtare të Avokatisë. Ai ishte angazhuar gjithashtu në grupe pune për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. Përveç karrierës profesionale, Vishaj ishte i pranishëm edhe në jetën publike, ku komentonte shpesh zhvillimet në drejtësi dhe problematikat e sistemit gjyqësor.
Në tetor të vitit 2025, ai kishte bërë publike kandidaturën për postin e Avokatit të Popullit, duke nisur procesin e mbledhjes së firmave për të mbështetur garën e tij. Përtej profesionit, një nga momentet më të vështira të jetës së tij ishte beteja me një sëmundje të rëndë gjatë vitit 2025.
Në një intervistë për Top Channel, në gusht të atij viti, Vishaj kishte treguar se kishte kaluar në gjendje kome dhe ishte intubuar. Pas trajtimit të specializuar në Itali, ai arriti të rikuperohej dhe të rikthehej në aktivitetin e tij profesional. Një rikthim që ai vetë e kishte rrëfyer si një nga përballjet më të vështira të jetës. Sot në moshën 60-vjeçare, Saimir Vishaj mbyll rrugëtimin e tij, duke lënë pas një karrierë të gjatë në avokatinë penale dhe një emër të njohur në jetën publike shqiptare.
