100 mijë dollarë për një veshje provokuese, e gjithë vëmendja te Bianca Censori që shfaqet me të brendshme
Aktori i famshëm i Hollywood-it, Nicolas Cage, ka zbuluar se aktualisht është i detyruar të jetojë në hotele, pasi banesa e tij luksoze në Malibu është bërë e pabanueshme për shkak të një grope gjigante që është krijuar pranë pronës.
Ylli i filmave “Face/Off dhe Con Air”, 62 vjeç, ka treguar se për momentin është pa një banesë të përhershme, pasi një problem serioz ka prekur shtëpinë e tij buzë oqeanit në Kaliforni. Gjatë pjesëmarrjes në aktivitetin “LA Comic Con”, Cage u pyet për planet e tij për Halloween, por përgjigjja e tij zbuloi situatën e pazakontë me të cilën po përballet.
“Për momentin jam paksa pa shtëpi. Diçka ndodhi me shtëpinë time në Malibu, ndaj po qëndroj në hotele. Nuk mund të shijoj Halloween-in siç do të dëshiroja, duke pritur fëmijët që vijnë për të kërkuar ëmbëlsira”, u shpreh aktori.
Sipas raportimeve, vila e tij luksoze, me vlerë rreth 10 milionë dollarë, është rrezikuar nga një gropë gjigante që është hapur në zonën e rrugës automobilistike, pranë garazhit të banesës. Gropa, e cila mendohet të jetë shkaktuar nga erozioni bregdetar, është përshkruar nga mediat amerikane si rreth 30 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë.
Situata është aq serioze sa autoritetet e qytetit të Malibu kanë shpallur të pasigurta 31 prona në lagje. Sipas një njoftimi zyrtar të bashkisë, shembja e një pjese të rrugës pranë bregdetit ka bllokuar aksesin e banorëve dhe të shërbimeve emergjente, përfshirë zjarrfikësit dhe policinë. Cage e bleu pronën në vitin 2024. Ajo ofron pamje spektakolare nga oqeani dhe ka një tarracë private në çati.
Aktori ka pasur ndër vite një portofol të jashtëzakonshëm pasurish të paluajtshme, të financuar nga suksesi i filmave të tij në Hollywood. Në kulmin e pasurisë së tij, ai zotëronte deri në 15 prona, mes tyre një vilë luksoze buzë ujit në Newport Beach, me vlerë rreth 19 milionë paund, si dhe një rezidencë në New Orleans, të cilën vetë aktori e kishte cilësuar si “shtëpia më e përhumbur në Amerikë”.
Ai kishte në pronësi edhe dy kështjella në Evropë, përfshirë Midford Castle në Somerset, të blerë për rreth 7.6 milionë paund, si dhe një shtëpi luksoze në qytetin historik të Bath, me vlerë rreth 4 milionë paund.
Në fillim të viteve 2000, pasuria e tij vlerësohej në rreth 150 milionë paund. I njohur për shijet e tij ekstravagante, Cage ka shpenzuar shuma marramendëse edhe për koleksione të pazakonta.
Ai raportohet se ka paguar rreth 230 mijë paund për një oktapod shtëpiak, ndërsa më shumë se 100 mijë paund për një kopje jashtëzakonisht të rrallë të një reviste komike ku shfaqej për herë të parë Superman.
Komiksi u vodh më vonë nga shtëpia e aktorit, por u rikuperua dhe në fund u shit për më shumë se 1.6 milionë paund. Mes blerjeve të tjera të tij luksoze ishte edhe një ishull privat në Bahamas, për të cilin thuhet se pagoi rreth 2.3 milionë paund.
Ndërsa këtë herë, ndryshe nga aventurat e tij të zakonshme luksoze, Nicolas Cage po përballet me një situatë të pazakontë: largimin e përkohshëm nga shtëpia e tij për shkak të një fenomeni natyror që ka vënë në rrezik një pjesë të zonës bregdetare të Malibu.
Top Channel