Mashtrime me investime online, operacion në Kosovë për goditjen e një rrjeti ndërkombëtar, bastiset një call center
Një rrjet ndërkombëtar i dyshuar për mashtrime me investime online është goditur nga një operacion i koordinuar nga Gjermania, Eurojust dhe Europol, ku në shënjestër kanë qenë edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Në Kosovë është bastisur një qendër thirrjesh, që dyshohet se përdorej për të bindur qytetarët të investonin shuma të mëdha parash në platforma të rreme.
Sipas njoftimit të Eurojust-it dhe Europol-it, skema dyshohet se ka shkaktuar mbi 4 milionë euro dëme, ndërsa viktimat potenciale janë identifikuar në rreth 50 shtete të botës.
Gjatë aksionit janë kontrolluar gjithsej 17 lokacione dhe janë sekuestruar më shumë se 100 serverë, së bashku me prova dhe asete të tjera. Shtatë persona janë arrestuar, me qëllim ekstradimin e tyre në Gjermani, vendi që ka udhëhequr operacionin.
Në aksion kanë marrë pjesë edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe Sektorit për Hetime Financiare.
Hetimet kanë zbuluar një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se furnizonte grupe kriminale me faqe interneti mashtruese për realizimin e skemave të investimeve online. Autoritetet kanë identifikuar gjithashtu klientë të dyshuar të kësaj kompanie në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët dyshohet se administronin qendra të paligjshme thirrjesh.
Sipas hetuesve, rrjeti përdorte platforma online që paraqiteshin si shërbime të ligjshme investimi dhe premtonin fitime të larta nga tregtimi i kriptomonedhave, valutave të huaja dhe aksioneve.
Viktimat fillimisht nxiteshin të investonin shuma të vogla. Në platformat e rreme u shfaqeshin më pas fitime fiktive, me qëllim që të krijonin besim dhe të bindeshin të investonin edhe më shumë para.
Personat që paraqiteshin si ndërmjetës financiarë ushtronin presion psikologjik ndaj klientëve për të rritur investimet. Kur këta të fundit kërkonin të tërhiqnin paratë, përballeshin me pengesa dhe justifikime të ndryshme, derisa mashtruesit ndërprisnin kontaktet dhe zhdukeshin me shumën e investuar.
Hetimi nisi në vitin 2022, pas ankesës së një çifti gjerman, i cili kishte investuar kursimet përmes një platforme online, por nuk kishte mundur të tërhiqte paratë dhe fitimet e pretenduara.
Pas më shumë se katër vitesh hetime dhe disa aksioneve ndërkombëtare, autoritetet arritën të identifikonin strukturën e dyshuar të rrjetit dhe personat që dyshohet se ishin të përfshirë në mashtrimet financiare.
Bashkëpunimi ndërmjet vendeve ishte një element kyç i hetimit. Në kuadër të Eurojust-it u krijuan dy ekipe të përbashkëta hetimore, njëri prej të cilëve përfshinte autoritetet e Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërkohë, Europol-i dërgoi ekspertë në të dyja vendet për të ndihmuar në hetimet digjitale dhe analizimin e provave të sekuestruara.
Edhe Prokuroria Speciale e Kosovës kishte konfirmuar zhvillimin e një aksioni në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare. Zëdhënësja e institucionit, Arbnora Luta, deklaroi se operacioni po zhvillohej në disa lokacione, pa dhënë fillimisht detaje të tjera.
“Mund të konfirmojmë që është duke u zhvilluar një aksion, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare”, kishte deklaruar Luta.











