
Shkrimtari Ben Blushi i ka kushtuar librit të tij më të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës”, një udhëtim në të kaluarën e kryeqytetit shqiptar, duke sjellë në vëmendje personazhe, ngjarje dhe histori që kanë shënuar zhvillimin e qytetit ndër shekuj.
I ftuar në News24, Blushi tregoi se nxitja për të shkruar këtë libër erdhi nga lidhja personale me Tiranën, qytetin ku ka lindur, por edhe nga bindja se historia e saj ende nuk është rrëfyer sa duhet. “Për Tiranën ka më pak libra se për qytetet e tjera europiane. Ka errësirë të madhe arkivore, gati 300 vite që janë të errëta”, u shpreh Blushi, duke theksuar rëndësinë e plotësimit të këtij boshllëku historik.
Përmes këtij botimi, ai synon t’u japë lexuesve një panoramë të transformimit të Tiranës, nga një fshat oriental në kryeqytetin që njohim sot. Një rrugëtim që nis me themelimin e qytetit, të lidhur me emrin e Sulejman Pashë Bargjinit në vitin 1614, dhe vijon përmes njerëzve që kontribuuan në formësimin e tij. “Libri është i shkruar si serial i Netflix. Jam përpjekur ta strukturoj, pasi kemi stresin se njerëzit lexojnë shumë pak, kam pak kohë”, tha ai gjatë intervistës.
Blushi foli edhe për marrëdhënien personale që krijon me personazhet e librave të tij, duke e shoqëruar këtë proces me humorin karakteristik. Ai u shpreh se botimet e reja shpesh i kanë kushtuar edhe miqësi, sidomos kur në faqet e tyre përfshihen njerëz që janë ende gjallë. “Sa herë që kam një të tillë, humbas nga një mik. Shpresoj që mos të humbas një tjetër mik”, rrëfeu shkrimtari.
Duke folur për personazhet e përfshirë në libër, ai shtoi me ironi se të jesh pjesë e historive të tij do të thotë ose të jesh i çmendur, ose të kesh vdekur, duke nënvizuar se personazhet e njohur që përmenden në libër nuk jetojnë më.
