Berisha thirrje për protestën e së shtunës: Në orën 12:00 të bashkohemi në mbështetje të studentëve

Politikë | 9 minuta më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë në protestën e së shtunës, në orën 12:00, në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që prej ditësh vijojnë protestat në Tiranë.

Gjatë një konference për mediat, Berisha e cilësoi lëvizjen studentore si një nga përballjet më të forta të rinisë shqiptare me qeverinë, ndërsa vlerësoi qëndresën e të rinjve dhe akuzoi Policinë për dhunë ndaj protestuesve.

“Revolta studentore dhe e gjimnazistëve të Tiranës është shndërruar në shpresën e madhe të mbarë shqiptarëve. E shtuna është dita që fton çdo shqiptar të rreshtohet përkrah tyre”, deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve kërkoi bashkimin e të gjitha forcave opozitare dhe qytetarëve në mbështetje të protestës, duke e konsideruar atë një moment të rëndësishëm politik dhe qytetar.

Duke komentuar letrën e Erion Veliajt nga paraburgimi, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion ndaj kryebashkiakut të Tiranës për çështjen e drejtimit të Bashkisë.

Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë një përplasje të brendshme për kontrollin e institucionit, ndërsa ai i cilësoi këto veprime si dëshmi të degradimit politik dhe moral të qeverisë.

I pyetur për reformën territoriale dhe mundësinë e dërgimit të saj në Gjykatën Kushtetuese, Berisha tha se Partia Demokratike do të shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar atë.

Ai pati kritika edhe ndaj Presidentit Bajram Begaj për dekretimin e ligjit, duke e akuzuar se ka vepruar në shërbim të qeverisë.

Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme vendore, Berisha deklaroi se emrat e drejtuesve politikë dhe kandidatëve për bashkitë do të bëhen publikë së shpejti, ndërsa procedurat e përzgjedhjes do të përcaktohen nga forumet e Partisë Demokratike.

Kreu i opozitës u ndal edhe te mundësia e një kandidature të përbashkët për Bashkinë e Tiranës, duke kërkuar krijimin e një koalicioni të gjerë opozitar në të gjithë vendin.

“PD dhe partitë opozitare kanë përgjegjësinë që në këtë betejë të bashkohen në zgjedhjet vendore me kandidatë të përbashkët, në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Tiranën”, tha Berisha.

I pyetur nëse ekziston një emër konkret për garën në kryeqytet, Berisha u shpreh se opozita ka kandidatë me vlera të larta qytetare, por theksoi se prioritet mbetet krijimi i një fronti të përbashkët opozitar.

“Vetëm një front i bashkuar mund të arrijë atë ndryshim që me padurim e presin shqiptarët”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme