Një operacion ndërkombëtar ka zbërthyer një skemë mashtrimi financiar përmes call center-ave duke çuar në arrestimin e 7 personave.
Pjesë e operacionit të Europol dhe Eurojust ishin edhe SPAK e Policia e Shtetit.
Skema e mashtrimit përdorte platforma online të cilat paraqiteshin si të ligjshme për të joshur viktimat që të transferonin shuma të mëdha parash. Humbjet financiare vlerësohen në mbi 4 milionë euro.
Operacioni vjen pas arrestimeve dhe kontrolleve të mëparshme të kryera në vitet 2022 dhe 2025.
Në vitin 2022, një çift gjerman paraqiti një kallëzim pasi kishte investuar kursimet e tij përmes një platforme online, por më pas kishte konstatuar se nuk mund të tërhiqte fitimet e pretenduara. Ky kallëzim vuri në lëvizje një hetim, i cili zbuloi një skemë ndërkombëtare mashtrimi që kishte në shënjestër viktima në mbarë botën.
Mashtruesit premtonin fitime marramendëse brenda një periudhe të shkurtër përmes tregtimit të kriptomonedhave, valutave të huaja dhe aksioneve. Pasi transferonin një shumë të vogël parash, viktimave u shfaqeshin fitime të fryra në platformë, duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për një aktivitet të ligjshëm.
Më pas, personat që paraqiteshin si ndërmjetës ushtronin presion psikologjik ndaj viktimave, duke i nxitur të investonin shuma edhe më të mëdha parash. Kur këta të fundit kërkonin të tërhiqnin fitimet, mashtruesit përdornin taktika të ndryshme për të zvarritur procesin dhe për të penguar tërheqjen e parave. Në fund, autorët zhdukeshin, ndërsa viktimat kuptonin se kishin humbur paratë e tyre.
Pas më shumë se katër vitesh hetime, erdhi goditja e parë ndaj skemës mashtruese, duke çuar në dy arrestime dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme provash materiale.
Pas analizimit të këtyre provave, hetuesit identifikuan edhe shtatë të dyshuar të tjerë, mes tyre drejtues të qendrave të telefonatave (call center), të cilat përdoreshin për të bindur viktimat që të investonin shuma të tjera parash. Operacioni i dytë pasoi në të tjera arrestime dhe sekuestrime të provave materiale e parave.
Provat e mbledhura gjatë aksionit të dytë çuan në operacionin e sotëm. Nga analizimi i tyre u zbulua një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se ofronte shërbime kriminale kundrejt pagesës (crime-as-a-service), duke furnizuar grupe të ndryshme kriminale me faqe interneti mashtruese, të përdorura për realizimin e skemave të mashtrimit online.
Autoritetet identifikuan gjithashtu klientë të dyshuar të kësaj kompanie në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët dyshohet se drejtonin qendra telefonatash të përdorura për mashtrime.
Operacioni kishte në shënjestër këta persona, si dhe serverët e përdorur për aktivitetet e tyre kriminale. Në total, autoritetet ushtruan kontrolle në 17 ambiente, përfshirë një qendër telefonatash në Kosovë. Gjatë operacionit u sekuestruan më shumë se 100 serverë, së bashku me prova të tjera materiale dhe pasuri. Shtatë persona u arrestuan me qëllim ekstradimin e tyre drejt Gjermanisë.
Njoftimi i plotë:
SPAK dhe Policia e Shtetit ishin pjesë e një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal të dyshuar për mashtrimin e qytetarëve në mbarë botën përmes platformave të rreme të investimeve online.
Rezultatet e operacionit të mbështetur nga Europol dhe Eurojust në disa vende të Europës:
• 7 persona të arrestuar.
• Mbi 100 serverë të sekuestruar.
• 17 ambiente të kontrolluara në disa shtete.
• Mbi 4 milionë euro dëme financiare të dyshuara.
Faza e fundit e operacionit vjen pas arrestimeve dhe kontrolleve të kryera në vitet 2022 dhe 2025, në kuadër të të njëjtit hetim ndërkombëtar.
Hetimet zbuluan edhe një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e dyshuar se furnizonte grupet kriminale me platforma dhe faqe interneti mashtruese. Klientë të dyshuar të saj janë identifikuar edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Atyre u premtoheshin fitime të mëdha nga investimet në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Viktimat joshnin fillimisht me fitime fiktive, ndërsa më pas ushtrohej presion psikologjik për t'i bindur të investonin gjithnjë e më shumë para.
SPAK është pjesë e dy ekipeve të përbashkëta hetimore pranë Eurojust, njëri me Gjermaninë dhe Poloninë dhe tjetri me Kosovën.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento