Vendosni fjalën kyçe....

Ibrahimaj: Shqipëria synon të kthehet në pikë referimi për sigurinë kibernetike në rajon


Shqipëria po forcon kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë kibernetike dhe synon të zhvillojë një sektor privat të specializuar, që mund ta kthejë vendin në një pikë referimi për rajonin.

Kështu u shpreh ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, me temë “Peizazhi i kërcënimeve në ditët e sotme”, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Eric Wendt.

Ibrahimaj tha se sulmi kibernetik i vitit 2022 shënoi një pikë kthese në qasjen e qeverisë ndaj kësaj çështjeje, duke e kthyer sigurinë kibernetike në prioritet dhe duke nxitur rritjen e kapaciteteve institucionale, financiare dhe ligjore.

“Që nga ai moment, sigurisht që për ne siguria kibernetike u bë prioritet. Tashmë Autoriteti është rritur në numër, është rritur në financime, ka miratuar legjislacionin, po harton strategjinë e zhvillimit, janë ngritur dhe po ngrihen CERT-e sektoriale”, u shpreh ministrja.

Ajo theksoi se mbrojtja nga sulmet kibernetike nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve publike, por kërkon edhe angazhimin e bizneseve, të cilat përdorin çdo ditë sistemet digjitale për pagesa, administrimin dhe ruajtjen e të dhënave.

Sipas saj, investimet në këtë drejtim janë të domosdoshme për të shmangur sulmet që mund të ndërpresin shërbimet dhe të paralizojnë aktivitetin ekonomik.

“Është detyra jonë që ta informojmë sektorin privat, i cili përdor shërbimet digjitale për të kryer pagesa dhe për të ruajtur të dhëna, se sa e rëndësishme është të investojë në parandalimin e sulmeve kibernetike, të cilat mund të shkaktojnë edhe paralizimin e biznesit të tyre në shumë fusha të ekonomisë”, theksoi Ibrahimaj.

Një tjetër fokus, sipas ministres, është krijimi i burimeve njerëzore të specializuara përmes edukimit dhe formimit profesional.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit janë hartuar kurrikula për përfshirjen e sigurisë kibernetike në sistemin bazë arsimor, ndërsa arsimi profesional dhe kurset afatshkurtra synojnë të ndihmojnë në përgatitjen e specialistëve të rinj.

Ibrahimaj bëri të ditur se deri tani janë financuar gjashtë startup-e në këtë sektor. Ndërkohë, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, në Shqipëri operojnë 72 biznese që kanë si fokus kryesor sigurinë kibernetike, 28 prej të cilave janë regjistruar gjatë vitit të fundit.

Ministrja nënvizoi se institucionet publike kanë përgjegjësinë të hartojnë legjislacionin, të përcaktojnë standardet dhe të monitorojnë zbatimin e tyre, por shërbimet e specializuara duhet të ofrohen edhe nga sipërmarrjet private.

“Publiku mund të garantojë standardet, mund të hartojë legjislacionin, mund të bëjë monitorimin e këtyre standardeve, por nuk mund të jetë ofruesi i shërbimeve për të gjithë atë nevojë që ka tregu në këtë moment”, u shpreh ajo.

Duke folur për rolin e Shqipërisë në rajon, Ibrahimaj vlerësoi se niveli i digjitalizimit të shërbimeve publike dhe përvoja e fituar në këtë fushë krijojnë mundësi që vendi të kontribuojë në sigurinë kibernetike rajonale.

“Jemi një partner i besueshëm dhe nuk përbëjmë më, si disa vite më parë, një hallkë të dobët, por besoj që jemi një pikë e rëndësishme e zinxhirit të sigurisë rajonale”, deklaroi ministrja.