Abdul El Sayed, kandidati demokrat për Senatin amerikan në Miçigan, është kthyer në një nga personazhet më të diskutuar të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA. I mbështetur nga Barack Obama, Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez, epidemiologu me origjinë egjiptiane po përballet me sulmet e presidentit Donald Trump, por edhe me kundërshtime nga brenda partisë së tij.
Sipas një analize të Massimo Gaggi për gazetën italiane Corriere della Sera, gara në Miçigan mund të ndikojë edhe debatin politik dhe ideologjik të demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
El Sayed është mysliman, djali i emigrantëve egjiptianë dhe përfaqësues i krahut progresist të demokratëve. Ai mbështet shëndetësinë publike për të gjithë dhe ka mbajtur qëndrime të ashpra ndaj Izraelit.
Megjithëse kryeson sondazhet, kandidati demokrat përballet me disa pengesa. Përveç sulmeve të republikanëve, ai duhet të bindë edhe një pjesë të votuesve afroamerikanë, të cilët përbëjnë rreth 14% të popullsisë së Miçiganit, si dhe demokratët që nuk pajtohen me qëndrimet e tij.
Përplasja me kandidaten demokrate që përfundoi në mbështetje për republikanët
Një nga goditjet më të papritura për El Sayed ka ardhur nga demokratja Haley Stevens, të cilën ai e mundi në zgjedhjet paraprake të partisë.
Stevens kishte premtuar se do ta votonte, por vazhdoi ta kritikonte dhe nuk mori pjesë në aktivitetet e fushatës së tij.
Drejtuesit demokratë u përpoqën t'i bashkonin dy politikanët në një aktivitet elektoral, në prag të votimit. Stevens ishte ftuar të merrte pjesë me El Sayed në një kishë të komunitetit afroamerikan, por përplasjet mes tyre vazhduan.
Ajo i kërkoi kandidatit të distancohej nga një reklamë kundër Izraelit, e publikuar nga një grup pranë qëndrimeve të tij. El Sayed refuzoi dhe deklaroi se nuk e dëshironte praninë e Stevens, duke e akuzuar se kishte zhvilluar fushatën me dhjetëra milionë dollarë nga AIPAC, organizata lobuese pro Izraelit.
Pas kësaj, Stevens shkoi në një aktivitet ku fliste kundërshtari i tij republikan dhe më pas deklaroi publikisht mbështetjen për kandidatin republikan.
Trump e shfrytëzoi këtë përplasje për t'i kërkuar Stevens të ndryshonte parti dhe për të sulmuar sërish El Sayed.
“E kuptoni? Duhet ta kalojmë çdo herë në detektorin e metaleve”, deklaroi presidenti amerikan.
Përgjigjja e El Sayed ishte e menjëhershme:
“Unë pranoj të kaloj në detektorin e metaleve nëse ti i nënshtrohesh makinës së të vërtetës. Unë nuk kam asgjë për të fshehur, ti ke shumë”.
Pse gara në Miçigan ka rëndësi për zgjedhjet e vitit 2028?
Miçigani është një shtet ku demokratët kanë mbajtur prej më shumë se 50 vitesh vendin përkatës në Senat, por ku elektorati ka prirje konservatore edhe kur voton për ta.
Donald Trump fitoi në këtë shtet në zgjedhjet presidenciale të viteve 2016 dhe 2024.
Për këtë arsye, rezultati i El Sayed po ndiqet me vëmendje nga të dyja krahët e Partisë Demokratike.
Siç shkruan New York Times, e cituar nga Corriere della Sera, demokratët e majtë dhe ata më të moderuar bien dakord për një gjë: fitorja ose humbja e El Sayed, si dhe diferenca e rezultatit, do të ndikojnë parametrat e debatit politik dhe ideologjik për zgjedhjen e kandidatit presidencial të demokratëve në vitin 2028.
Vetë El Sayed ka deklaruar se nuk synon vetëm të fitojë vendin në Senat. Ai dëshiron që Miçigani të marrë rolin që dikur kishte Ajova, shteti që për dekada i jepte drejtim garës presidenciale përmes zgjedhjeve paraprake.
Alexandria Ocasio-Cortez e ka përshkruar garën e tij si një provë për të majtën demokrate.
Në një aktivitet me dyer të mbyllura, deklarata e së cilës u regjistrua dhe përfundoi në media, ajo u shpreh:
“Nëse në një shtet si Miçigani fiton dikush si Abdul, kjo do të thotë se mund të fitojmë kudo”.
Sipas analizës së gazetës italiane, një fitore e El Sayed do të përdorej nga krahu progresist si argument se demokratët mund të garojnë edhe me kandidatë që mbajnë qëndrime më të majta.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me ambiciet e mundshme presidenciale të Ocasio-Cortez në vitin 2028.
Edhe republikani Ted Cruz e ka lidhur garën në Miçigan me të ardhmen politike të demokratëve.
“Nëse fiton El Sayed, në vitin 2028 do të na duhet të përballemi me Ocasio-Cortez”, ka deklaruar ai.
Trump e quan “gangster i Botës së Tretë”
Presidenti Donald Trump ka përdorur një gjuhë veçanërisht të ashpër kundër kandidatit demokrat.
Ai e ka cilësuar El Sayed si xhihadist, simpatizant të terroristëve dhe “gangster të Botës së Tretë që nuk duhet t'i përkasë Amerikës”.
Sulmeve u është bashkuar edhe zëvendëspresidenti JD Vance, i cili ka zhvilluar aktivitete elektorale në Miçigan.
Vance e ka akuzuar El Sayed se urren Amerikën dhe e ka përshkruar si një islamist radikal që kërkon të depërtojë në institucionet amerikane për të minuar demokracinë.
Ndërkohë, kundërshtari republikan i El Sayed, Mike Rogers, ish-agjent i FBI-së dhe ish-deputet, e ka akuzuar se është mbështetës i Vëllazërisë Myslimane.
Kjo organizatë egjiptiane është shpallur terroriste nga disa vende arabe, përfshirë Egjiptin, ndërsa edhe në SHBA disa pjesë të saj janë klasifikuar si të tilla.
El Sayed i ka mohuar akuzat.
Kush është Abdul El Sayed?
Abdul El Sayed ka lindur në vitin 1984 në Shtetet e Bashkuara dhe është djali i emigrantëve egjiptianë.
Ai ka studiuar mjekësi në Universitetin Columbia dhe është specializuar në epidemiologji.
Në vend që të ndiqte karrierën tradicionale si mjek, ai zgjodhi mësimdhënien universitare dhe më pas drejtimin e institucioneve të shëndetit publik.
El Sayed ka drejtuar departamentet e shëndetësisë në Detroit dhe më pas në Wayne County, qarkun më të populluar të Miçiganit.
Gjatë karrierës së tij është marrë me zgjerimin e aksesit në shërbimet mjekësore për shtresat me të ardhura të ulëta.
Këtë përvojë ai e përdor edhe për t'iu përgjigjur akuzave të republikanëve, duke argumentuar se puna e tij në shërbim të qytetarëve tregon lidhjen me vendin ku ka lindur.
Një pjesë e sulmeve ndaj tij lidhen me të kaluarën e nënës së tij.
Sipas artikullit të Corriere della Sera, dyshimet për lidhje me Vëllazërinë Myslimane burojnë nga pretendimet se nëna e kandidatit, një infermiere nga Misuri, mund ta ketë mbështetur organizatën në rininë e saj.
Prindërit e El Sayed u divorcuan kur ai ishte tre vjeç. Nëna u kthye në Egjipt dhe ndërpreu kontaktet, ndërsa ai u rrit nga babai dhe gjyshërit.
I pyetur për lidhjet e pretenduara me Vëllazërinë Myslimane, El Sayed është përgjigjur:
“Nuk kam asnjë lidhje. Kam lindur në vitin 1984. Dëshironi të më kërkoni llogari për atë që nëna ime mund të ketë bërë në vitet '70?”.
Pavarësisht mohimeve, kundërshtari i tij Mike Rogers nuk i ka tërhequr akuzat.
Qëndrimet ndaj Izraelit dhe përplasjet brenda demokratëve
Një tjetër çështje që ka shkaktuar debat janë qëndrimet e El Sayed ndaj Izraelit.
Ai ka mbajtur pozicione shumë kritike ndaj politikave izraelite dhe ka refuzuar t'i përgjigjet pyetjes se cili vend është më i rrezikshëm për Shtetet e Bashkuara, Irani apo Izraeli.
Kandidati demokrat është kritikuar gjithashtu për komunikimin e shpeshtë me komentatorin politik Hasan Piker, i cili e përkufizon veten si socialist dhe është përballur me akuza për antisemitizëm.
Së fundmi, El Sayed është distancuar prej tij.
Edhe pse mbështet disa nga propozimet ekonomike të së majtës socialiste amerikane, El Sayed nuk e konsideron veten socialist.
Qëndrimet e tij kanë krijuar shqetësime te krahu më i moderuar i Partisë Demokratike, që e sheh rezultatin në Miçigan si një provë për strategjinë elektorale të partisë.
Obama dhe Kamala Harris dalin në mbështetje të tij
Një nga sfidat e El Sayed është sigurimi i pjesëmarrjes së votuesve afroamerikanë.
Sipas analizës së gazetës italiane, një pjesë e këtij elektorati nuk e mbështet kandidatin demokrat. Shqetësimi i fushatës së tij është se këta votues mund të mos votojnë fare, edhe nëse nuk zgjedhin republikanët.
Për ta mbështetur, në fushatë janë përfshirë figura të njohura demokrate, përfshirë ish-presidentin Barack Obama dhe ish-zëvendëspresidenten Kamala Harris.
Mbështetja e Obamës vjen pavarësisht faktit se El Sayed e kishte kritikuar më parë presidencën e tij, qëndrim për të cilin më pas ka shprehur keqardhje.
Ndërkohë, një pjesë e drejtuesve tradicionalë të demokratëve mbeten të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë rezultati i tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
“Paratë jashtë politikës, paratë në xhepat tuaj”
Fushata e El Sayed mbështetet te tri mesazhe kryesore:
“Paratë jashtë politikës. Paratë në xhepat tuaj. Medicare për të gjithë”.
Me këtë slogan, ai kërkon kufizimin e ndikimit të parave në politikë, rritjen e të ardhurave të qytetarëve dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor për të gjithë.
Një nga elementet që e dallon fushatën e tij është refuzimi i financimeve nga korporatat dhe organizatat që, sipas tij, mund të ndikojnë vendimmarrjen politike.
Në zgjedhjet paraprake demokrate, El Sayed arriti të mposhtte Haley Stevens, pavarësisht se ajo kishte mbledhur 11 herë më shumë fonde elektorale.
Tani ai përballet me republikanin Mike Rogers, fushata e të cilit mbështetet financiarisht nga bizneset, përfshirë kompani farmaceutike.
Sipas Corriere della Sera, mes financuesve të Rogers përfshihen edhe kompani të lidhura me krizën e opioideve, e cila ka shkaktuar për vite me radhë një numër të madh viktimash në Shtetet e Bashkuara.
Gara në Miçigan nuk ka të bëjë vetëm me një vend në Senat. Për demokratët, rezultati i Abdul El Sayed do të jetë një tregues i rëndësishëm në debatin e brendshëm mes krahut progresist dhe atij të moderuar, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028.







Komente
Komento