Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, pritet të presë më 5 nëntor në Shtëpinë e Bardhë zyrtarë nga Rusia dhe Ukraina, në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për t'i dhënë fund luftës mes dy vendeve. Aktiviteti është cilësuar nga Shtëpia e Bardhë si një “moment i jashtëzakonshëm për Amerikën”, ndërsa Melania Trump pritet të bëjë edhe një deklaratë lidhur me armëpushimin në Oleshky.
Ndërkohë, një tjetër takim i rëndësishëm diplomatik është konfirmuar për datat 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi, ku do të zhvillohen bisedime trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili konfirmoi se delegacioni rus do të drejtohet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i presidentit Vladimir Putin.
Paralelisht, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Berlin, ku pritet të takohet me kancelarin gjerman Friedrich Merz për të diskutuar zhvillimet e fundit të luftës dhe mundësitë për një zgjidhje diplomatike. Gjatë kësaj jave pritet gjithashtu një takim mes përfaqësuesve të NATO-s dhe zyrtarëve nga SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, ku në fokus do të jenë hapat e mëtejshëm drejt një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë. Ndërsa në planin diplomatik po shtohen kontaktet mes palëve, në terren vazhdojnë sulmet ushtarake.
Forcat ukrainase kanë goditur me dronë rafinerinë e naftës Slavneft-Yanos, në qytetin rus të Yaroslavlit, rreth 250 kilometra në verilindje të Moskës. Bëhet fjalë për një nga impiantet më të mëdha të përpunimit të naftës në Rusi. Sulmi u regjistrua gjatë natës, ndërsa banorët raportuan të paktën tre vatra zjarri brenda kompleksit industrial.
Nga ana tjetër, autoritetet ruse pretendojnë se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 856 dronë ukrainas me krahë fiks gjatë natës mes së hënës dhe së martës. Sipas të dhënave të publikuara prej tyre, dronët janë interceptuar mbi rajonet Bryansk, Belgorod, Vladimir, Kaluga, Kursk, Novgorod, Oryol, Rostov, Ryazan, Smolensk, Tver, Tula, Yaroslavl dhe Moskë, si dhe mbi Krimenë dhe Detin e Zi.
Shifra e raportuar nga pala ruse nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur. Zhvillimet e fundit tregojnë se, pavarësisht përpjekjeve për të çuar palët drejt negociatave, përplasjet dhe goditjet ndaj infrastrukturës strategjike vijojnë.
Vëmendja ndërkombëtare tashmë është përqendruar te takimi i 5 nëntorit në Shtëpinë e Bardhë dhe bisedimet trepalëshe të 10 dhe 11 nëntorit në Abu Dhabi, nga të cilat pritet të ketë sinjale mbi ecurinë e përpjekjeve për një armëpushim dhe përfundimin e luftës.




Komente
Komento