Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026” nuk do të zhvillohet në datat 11-15 nëntor, siç ishte parashikuar fillimisht. Shoqata e Botuesve dhe grupi organizator kanë njoftuar këtë të martë shtyrjen e aktivitetit për në muajin dhjetor.
Në njoftimin e tyre, organizatorët bëjnë të ditur se vendimi është marrë pas konsultimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues, duke argumentuar se situata e tensionuar në Tiranë nuk do të garantonte pjesëmarrjen e pritshme të vizitorëve.
Shqetësimi kryesor, sipas organizatorëve, lidhet me praninë e të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të këtij panairi.
“Për shkak të situatës së tensionuar dhe shqetësuese në Tiranë, nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve, veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve”, thuhet në njoftim.
Panairi do të mbahet brenda muajit dhjetor, ndërsa datat e reja do të bëhen publike në ditët në vijim.
Shtyrja vjen në një periudhë tensionesh dhe protestash të vazhdueshme në kryeqytet, të cilat kanë ndikuar edhe në zhvillimin e aktiviteteve publike.













