Vendosni fjalën kyçe....

Situata e tensionuar në Tiranë, shtyhet për në dhjetor Panairi i 29-të i Librit


Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026”, i cili ishte parashikuar të mbahej në datat 11–15 nëntor, është shtyrë për në muajin dhjetor.

Vendimi është bërë i ditur nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila ka argumentuar se shkak është bërë situata e tensionuar në Tiranë.

Në një njoftim drejtuar botuesve, ekspozuesve dhe lexuesve, organizatorët bëjnë me dije se vendimi është marrë pas konsultimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues.

Sipas tyre, zhvillimi i aktivitetit në datat e planifikuara nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve.

Shqetësim i veçantë është pjesëmarrja e të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të panairit.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë konfirmon se aktiviteti do të zhvillohet brenda muajit dhjetor të këtij viti, ndërsa datat e reja do të njoftohen në ditët në vijim.

Në njoftimin e plotë, organizatorët falënderojnë botuesit dhe lexuesit për mirëkuptimin dhe durimin, duke shprehur angazhimin për zhvillimin e panairit në një periudhë që mundëson pjesëmarrjen e gjerë të publikut.

 

Njoftimi i plotë:

Të dashur kolegë botues dhe ekspozues të Panairit të 29 të Librit “Tirana 2026”,
Të nderuar lexues,
Grupi organizator i Panairit, pas këshillimeve me shumë botues, pedagogë, mësues dhe lexues, vlerëson se organizimi i tij në datat e parashikuara (11-15 nëntor 2026), për shkak të situatës së tensionuar dhe shqetësuese në Tiranë, nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve, veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të Panairit të Librit.
Ju njoftojmë se Panairi i 29 i Librit “Tirana 2026” do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, pra brenda këtij viti.
Datat e sakta do t’jua bëjmë të ditura shumë shpejt.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe durimin, ju urojmë punë të mbarë!