Seria e vendimeve në favor të Donald Trump dhe republikanëve në çështjet zgjedhore në Gjykatën Supreme të SHBA-së ka pësuar një ndalesë të papritur.
Gjykata rrëzoi të hënën kërkesën e administratës amerikane për të bllokuar përkohësisht numërimin e fletëvotimeve me postë në Kaliforni, vetëm një ditë përpara zgjedhjeve të mesmandatit, përcjell Reuters.
Vendimi u mor brenda gjashtë orësh e 24 minutash nga paraqitja e kërkesës, një kohë jashtëzakonisht e shkurtër për një institucion që zakonisht shqyrton çështjet për muaj të tërë, madje edhe në rastet urgjente.
Gjykata e hodhi poshtë kërkesën me një urdhër prej vetëm një fjalie, pa dhënë shpjegime dhe pa regjistruar kundërshtime publike nga gjyqtarët.
Administrata Trump kërkonte të ndalonte Kaliforninë të numëronte fletëvotimet me postë të më shumë se 20 mijë votuesve të regjistruar, të cilët zyrtarët federalë pretendonin se mund të mos ishin shtetas amerikanë.
Ky vendim vjen pas një tjetër humbjeje në shtator, kur Gjykata Supreme refuzoi të lejonte zbatimin e një rregulli të Shërbimit Postar amerikan që synonte kufizimin e votimit me postë.
Këto vendime shënojnë një ndryshim të dukshëm krahasuar me një seri çështjesh të mëparshme zgjedhore, në të cilat republikanët kishin përfituar nga vendimet e gjykatës, veçanërisht për ndarjen e distrikteve zgjedhore dhe të drejtat e votimit të pakicave.
Gjykata ka një shumicë konservatore prej gjashtë gjyqtarësh kundrejt tre, mes të cilëve janë edhe tre të emëruar nga Trump. Megjithatë, presidenti amerikan kishte shprehur më herët keqardhje për emërimin e tyre, pas vendimit për votimin me postë.
Çështja merr rëndësi të veçantë përpara zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat republikanët përpiqen të ruajnë kontrollin e Kongresit, ku aktualisht kanë shumicë të ngushtë si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat. Humbja e kontrollit të njërës prej dhomave do të rrezikonte zbatimin e agjendës legjislative të Trump dhe do t’u jepte demokratëve mundësinë të nisnin hetime parlamentare ndaj presidentit dhe administratës së tij.
Ekspertë të së drejtës zgjedhore vlerësojnë se humbjet e fundit të administratës në Gjykatën Supreme mund të lidhen edhe me dobësinë e argumenteve ligjore të paraqitura.
Justin Levitt, profesor në Loyola Law School dhe ekspert i së drejtës kushtetuese dhe zgjedhore, tha se çështjet e paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë nuk kishin qenë bindëse. Ai e cilësoi kërkesën për votat në Kaliforni si shembullin më të qartë të kësaj dobësie.
Edhe Edward Foley, ekspert i së drejtës zgjedhore në Universitetin Shtetëror të Ohajos, vuri në dukje se Gjykata Supreme nuk kërkoi as përgjigje nga autoritetet e Kalifornisë për kërkesën e administratës. Sipas tij, ky është një tregues se çështja nuk u konsiderua me peshë të mjaftueshme për një shqyrtim më të thelluar.
Departamenti amerikan i Drejtësisë shprehu zhgënjim për vendimin, por deklaroi se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për zbatimin e ligjeve zgjedhore.
Një zëdhënës i institucionit tha se autoritetet do të dërgojnë monitorues zgjedhorë në Kaliforni dhe në pjesë të tjera të vendit, do të ndjekin penalisht personat e dyshuar për mashtrim zgjedhor dhe do të shqyrtojnë rrugë të tjera ligjore për të garantuar që të votojnë vetëm shtetasit amerikanë që kanë të drejtë vote.
Një tjetër goditje për republikanët erdhi në shtator, kur Gjykata Supreme mori tri vendime kundër përdorimit të hartës së ridizenjuar të distrikteve zgjedhore në Misuri, e cila ishte hartuar për t’u dhënë avantazh republikanëve.
Gjykata la në fuqi vendimin që pengonte përdorimin e saj në zgjedhjet e mesmandatit pa u miratuar më parë përmes një referendumi. Sipas saj, ndryshimi i hartës në mes të një procesi zgjedhor do të krijonte kaos elektoral.
