Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe fotografi nga takimi, de Sousa shkruan se gjatë takimit u diskutua për rolin qendror të Kuvendit për miratimin e reformave, përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian dhe sigurimin e llogaridhënies së Ekzekutivit.

Kjo sipas ambasadores së BE-së kërkon angazhimin e të gjitha palëve dhe që Kuvendi sipas saj, të jetë një hapësirë e mirëfilltë dialogu.

Njoftimi i ambasadores Sofia Moreira de Sousa:

U takova sot me z. Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së, për të diskutuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Patëm një diskutim të frytshëm mbi rolin qendror të Kuvendit në miratimin e reformave, përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe sigurimin e llogaridhënies së ekzekutivit.

Kjo kërkon angazhimin e të gjitha palëve dhe që Kuvendi të jetë një hapësirë e mirëfilltë dialogu.

Një reagim për takimin pasoi edhe nga kreu i grupit të PD, i cili tha se informoi ambasadoren lidhur me kufizimin e të drejtave të opozitës, mungesën e llogaridhënies së qeverisë, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përdorimin e mazhorancës për të mos hequr imunitetin e zyrtarëve që akuzohen për korrupsion (Belinda Balluku).

Bardhi shton se Kuvendi duhet të jetë zëri i qytetarëve dhe të garantohet e drejta për të protestuar pa pengesa, si dhe ka dënuar reagimin e policisë ndaj protestuesve.

Reagimi i Gazment Bardhit:

“Sot zhvillova një takim me Ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, znj. Sofia Moreira de Sousa, së cilës i urova suksese në ushtrimin e mandatit të saj.

Gjatë takimit e informova mbi problematikat serioze që karakterizojnë funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe deformimin e rolit të tij kushtetues, veçanërisht në një moment vendimtar për procesin e integrimit europian të vendit.

Në fokus të diskutimit ishte kufizimi i rolit të opozitës dhe mohimi i të drejtave të saj për ushtrimin e kontrollit parlamentar, moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, mungesa e llogaridhënies së ekzekutivit, si dhe përdorimi i shumicës parlamentare për të mbrojtur, përmes votës, imunitetin e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion.

Theksova se Kuvendi nuk mund të shndërrohet në noter të vendimeve të qeverisë, por duhet të jetë institucioni ku ushtrohet kontrolli mbi pushtetin dhe ku dëgjohet e përfaqësohet zëri i qytetarëve. Nënvizova gjithashtu se protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike, e cila duhet të garantohet dhe të ushtrohet pa pengesa.

Përdorimi i forcës joproporcionale nga Policia është i papranueshëm dhe bie ndesh me standardet demokratike që një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian duhet të respektojë.

Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë integrimin europian të Shqipërisë dhe çdo përpjekje serioze që përshpejton anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Por integrimi europian nuk mund të jetë fasadë pas së cilës qeveria të fshehë shkeljet e rënda të standardeve demokratike, cenimin e shtetit të së drejtës dhe kapjen e institucioneve.

Rruga drejt Bashkimit Europian kërkon demokraci funksionale, institucione të pavarura, respektim të Kushtetutës, llogaridhënie dhe garanci reale për të drejtat e opozitës dhe të qytetarëve.”