Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ketë një buxhet prej rreth 75.45 miliardë lekësh për vitin 2027.
Ministri Enea Karakaçi prezantoi në Komisionin e Burimeve Natyrore projektet dhe investimet që parashikohen të financohen, duke veçuar ndërhyrjet në rrugë, zhvillimin e porteve dhe infrastrukturën ajrore.
Pjesën kryesore të investimeve në transport do ta zërë programi i transportit rrugor, për të cilin janë parashikuar 35.15 miliardë lekë.
Sipas ministrit, synimi është ndërtimi i një sistemi modern, të sigurt dhe të lidhur me rrjetet rajonale. Rreth 90% e financimit për këtë program do të jetë i brendshëm, ndërsa 10% do të sigurohet nga burime të huaja.
Karakaçi bëri të ditur se gjatë vitit 2027 prioritet do të kenë akset e Korridorit VIII dhe Korridorit Blu, ndërsa ndër projektet kryesore përmendi zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, ndërtimin e aksit Ura e Grykshit-Peqin, vijimin e zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës dhe ndërhyrjet në rrugën Tiranë-Ndroq-Plepa.
“Për vitin 2027, prioritet do të kenë Elbasan-Qafë Thanë, Ura e Grykshit-Peqin, fazat e reja Tiranë-Durrës, akset e tjera të Tiranë-Ndroq-Plepa, si dhe ndërhyrjet për stabilizimin e aksit Librazhd-Qafë Thanë”, deklaroi ministri.
Ai u ndal edhe te By-Pass-i i Tiranës, ku aktualisht po punohet për fazën e parë me gjatësi 10 kilometra. Sipas tij, punimet do të vijojnë me financim edhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Projektet e reja rrugore për vitin 2027
Ndër investimet e parashikuara në programin rrugor janë:
- Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë, Faza IX – 1 miliard lekë.
- Rivitalizimi i skarpateve në aksin Elbasan-Ura e Bushtricës – 840 milionë lekë.
- Qendra e Monitorimit të Trafikut, Faza III – 400 milionë lekë.
- Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, Faza IV – 600 milionë lekë.
- Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, Faza V – 600 milionë lekë.
- Ndërtimi i aksit Ura e Grykshit-Peqin (Lindje), Faza I – 800 milionë lekë.
- Ndërtimi i aksit Ura e Grykshit-Peqin (Lindje), Faza II – 600 milionë lekë.
- Ndërtimi i aksit Ura e Grykshit-Peqin (Lindje), Faza III – 600 milionë lekë.
- Rikonstruksioni i rrugës së vjetër Kombinat-Ndroq-Plepa, Loti 4 – 240 milionë lekë.
- Rikonstruksioni i rrugës së vjetër Kombinat-Ndroq-Plepa, Loti 5 – 340.4 milionë lekë.
- Rikonstruksioni i rrugës së vjetër Kombinat-Ndroq-Plepa, Loti 6 – 300 milionë lekë.
- Rikonstruksioni i rrugës së vjetër Kombinat-Ndroq-Plepa, Loti 7 – 42 milionë lekë.
- Stabilizimi i rrëshqitjes në aksin Librazhd-Qafë Thanë, në Dragostunjë – 490 milionë lekë.
Në prezantimin e buxhetit u përmendën gjithashtu projektet për zhvillimin e portit tregtar në Porto-Romano dhe aeroportin e Gjirokastrës, si pjesë e planeve për zgjerimin e infrastrukturës së transportit në vend.
