Gjykata në La Rochelle të Francës ka refuzuar kërkesën për lirim nga burgu të një shqiptari rreth të 30-ave, i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni dhe i kërkuar nga Interpoli për tentativë vrasjeje në Shqipëri. Ai do të qëndrojë në paraburgim deri në shqyrtimin e çështjes më 2 dhjetor.

Shqiptari ishte vendosur në paraburgim në burgun e Rochefort më 16 tetor, ndërsa më 19 tetor u paraqit përpara gjykatës në La Rochelle, ku u shqyrtua kërkesa e tij për lirim. Gjykata nuk u shpreh për fajësinë e tij, por vetëm për masën e sigurisë.

Sipas mediave franceze, ai ndodhet në mënyrë të parregullt në Francë dhe ka përdorur dokumente false, duke u paraqitur me identitet italian. Këtë fakt e ka pranuar edhe gjatë marrjes në pyetje nga policia.

Ndaj tij ekziston gjithashtu një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar nga Interpoli më 13 dhjetor 2016, i shoqëruar me kërkesë për ekstradim, për një çështje të tentativës së vrasjes në Shqipëri. Shqiptari e kundërshton këtë akuzë, duke pretenduar se bëhet fjalë për një gabim.

Ai akuzohet edhe për shfrytëzim prostitucioni në qytetin e La Rochelle, gjatë periudhës 1 janar 2023 deri më 7 tetor 2026. Sipas hetimeve, viktima e dyshuar është një grua me të cilën ai bashkëjetonte që prej vitit 2022. Para gjykatës, ai deklaroi se nuk kishte dijeni që ajo prostituohej, duke shtuar se madje kishte bërë tatuazh emrin e saj në parakrah.

Hetuesit po analizojnë telefonin e tij celular dhe po punojnë për identifikimin e një viktime të dytë të mundshme, e cila dyshohet se është shoqe e gruas së parë.

Gjatë seancës, shqiptari pretendoi se ishte vetë viktimë e situatës, duke deklaruar: “Viktima jam unë dhe jo ajo”. Ndërkohë, prokuroria kërkoi që ai të mos lirohej, duke argumentuar se qëndrimi i tij në Francë ishte i paligjshëm dhe se ekzistonte rreziku që, në rast lirimi, autoritetet të humbnin gjurmët e tij.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi refuzimin e lirimit. Pas seancës shqiptari u ankua edhe për trajtimin në burg, duke pretenduar se ishte kërcënuar dhe se kishte video që e provonin këtë.