Katër shqiptarë janë dënuar me burg në Londër për një seri vjedhjesh në banesat e familjeve nga komuniteti i Azisë Jugore. Ata kishin shënjestruar prona ku besonin se mund të gjenin bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë, ndërsa hetuesit arritën t’i identifikonin edhe përmes të dhënave të kartave Oyster, të përdorura në transportin publik të kryeqytetit britanik.
Dy prej tyre, Çlirim Ferizi, 26 vjeç, dhe Oresti Saliaj, 40 vjeç, u lidhën me disa vjedhje në zona të ndryshme të Londrës. Ferizi u dënua me dy vjet burg në Gjykatën Mbretërore të Isleworth, më 20 gusht, ndërsa Saliaj ishte dënuar më herët, më 22 prill, me tre vjet e gjashtë muaj burg. Sipas Policisë Metropolitane, të dy morën gjithsej pesë vjet e gjashtë muaj burgim.
Hetimi nisi pas një vjedhjeje në një banesë në Ruislip, në muajin shkurt. Detektivët shqyrtuan pamjet e kamerave të sigurisë, provat e ADN-së, të dhënat e telefonave celularë dhe historikun e udhëtimeve me kartat Oyster. Këto të dhëna ndihmuan në rindërtimin e lëvizjeve të autorëve dhe lidhjen e tyre me disa prej vendngjarjeve.
Sipas hetimeve, dy shqiptarët kishin vëzhguar paraprakisht banesat dhe lëvizjet e banorëve, përpara se të hynin me forcë në to. Në një prej rasteve, në Oakleigh Park North, u vodh një orë Rolex me vlerë 7 mijë paund, ndërsa mes sendeve të tjera të marra nga banesat ishin vathë floriri me vlerë 1,500 paund dhe një unazë antike që kushtonte 1,200 paund.
Një tjetër vjedhje u regjistrua më 27 shkurt në Shenley Avenue, në Ruislip. Kamerat i filmuan Ferizin dhe Saliajn duke mbërritur me transport publik, duke hyrë me forcë në banesë dhe duke u larguar më pas me një çantë të mbushur me sende me vlerë. Të nesërmen, ata hynë edhe në një banesë në Marsh Road, në Harrow, por këtë herë nuk morën asgjë.
Për shkak se gjatë vjedhjeve mbanin maska dhe fshihnin fytyrat, hetuesit u përqendruan te gjurmimi i lëvizjeve të tyre. Kartat Oyster, të gjetura pas arrestimit më 23 mars, regjistronin oraret dhe stacionet ku kishin udhëtuar. Edhe karta bankare e Ferizit dha prova të tjera, pasi ishte përdorur për të rimbushur kartën Oyster në stacionin e Ruislip.
Rreshteri i Detektivëve Ross Smith, që drejtoi hetimin, tha se autorët kishin shënjestruar qëllimisht familjet brenda banesave të tyre, duke u shkaktuar viktimave frikë dhe shqetësim emocional.
“Këta kriminelë shënjestruan qëllimisht familjet brenda banesave të tyre, duke u shkaktuar viktimave shqetësim emocional dhe frikë. Ky hetim bashkoi një sërë provash, përfshirë të dhënat e kartave Oyster, të cilat forcuan çështjen dhe ndihmuan në krijimin e një tabloje të qartë provuese, duke i vendosur të dy autorët në vendngjarjen e secilës vjedhje. Ne e dimë se vjedhjet në banesa kanë një ndikim afatgjatë te viktimat dhe jemi të përkushtuar që të ndjekim autorët dhe t’i çojmë ata përpara drejtësisë. Qasja jonë po jep rezultate, pasi vjedhjet në banesa kanë rënë me 6% në të gjithë Londrën gjatë vitit të fundit, duke dëshmuar ndikimin e shtimit të patrullimeve dhe masave të synuara policore”, deklaroi ai.
Edhe dy shqiptarë të tjerë të dënuar për vjedhje
Në kuadër të hetimeve për vjedhje të ngjashme janë dënuar edhe dy shqiptarë të tjerë, Hetaj Dionis, 35 vjeç, dhe Arben Cuka, 31 vjeç. Ata u përfshinë në një seri vjedhjesh në zonën e Hayes, ku gjatë një periudhe tetëditore shënjestruan banesat e familjeve nga komuniteti i Azisë Jugore.
Dionisi u kap më 19 janar, pasi policia mori një njoftim për një vjedhje në tentativë në Ealing. Efektivët e gjetën në çatinë e banesës, ku po përpiqej t’i shpëtonte arrestimit. Me ndihmën e qenve të policisë, ai u arrestua dhe iu gjet një levë hekuri, si dhe sende të vjedhura. Cuka u lokalizua dhe u arrestua më 4 mars.
Të dy u dënuan me një total prej pesë vjetësh burgim nga Gjykata Mbretërore e Isleworth, më 23 prill. Policia i lidhi me vjedhjet përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, regjistrimeve të kamerave të dyerve dhe të dhënave telefonike e të udhëtimeve.
Në një hetim tjetër të Njësisë Speciale të Policisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar, e njohur si Flying Squad, u identifikua edhe Patrick Doherty, 24 vjeç, si pjesëtar i një grupi kriminal që kishte kryer vjedhje në banesat e familjeve nga komuniteti i Azisë Jugore në Londër dhe në qarqet përreth.
Doherty u lidh me vendngjarjet përmes dëshmive, pamjeve të kamerave të sigurisë dhe të dhënave të sistemit automatik të njohjes së targave. Ai u arrestua më 16 tetor 2025, pas një operacioni survejimi, dhe u dënua me tre vjet e nëntë muaj burgim në Gjykatën Mbretërore të Kingston, më 22 qershor.


