Një efektiv i Bazës Ajrore të Kuçovës është plagosur në shpatull me armën e shërbimit, gjatë kryerjes së detyrës. Ngjarja ndodhi pasditen e sotme, rreth orës 16:46, ndërsa Ministria e Mbrojtjes bën me dije se ushtari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Efektivit me inicialet E.D. iu dha menjëherë ndihma e parë mjekësore dhe më pas u transportua në Spitalin Rajonal të Beratit. Pas vlerësimit nga mjekët, u konstatua se parametrat e tij jetësorë ishin brenda normës.
Për shkak të nevojës për trajtim të specializuar, efektivi është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, Policia Ushtarake ndodhet në vendngjarje dhe po kryen procedurat për dokumentimin e rastit dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave në të cilat ndodhi plagosja.
Ministria e Mbrojtjes deklaron se po ndjek nga afër situatën dhe gjendjen shëndetësore të efektivit, të cilit i uron shërim të shpejtë.
#Kuçovë #BazaAjrore #MinistriaEMbrojtjes #PoliciaUshtarake #Shqipëri


