Granit Xhaka dhe sulmuesi Breel Embolo janë rikthyer në dispozicion të trajnerit të Zvicrës, Murat Yakin, pas shqyrtimit të çështjes së certifikatave të falsifikuara të COVID-19, që lidhet me vitet 2021 dhe 2022.
Vendimi është marrë nga bordi qendror i Shoqatës Zvicerane të Futbollit, pas përfundimit të procedurave ligjore për të dy futbollistët. Në vlerësimin e saj, federata ka marrë parasysh edhe pasojat sportive që ata kanë vuajtur, pasi kanë munguar në katër ndeshje ndërkombëtare gjatë muajve shtator dhe tetor.
Për Xhakën ka ardhur edhe një konfirmim tjetër i rëndësishëm se mesfushori do të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit të kombëtares. Trajneri Murat Yakin, stafi teknik dhe këshilli i lojtarëve kanë marrë vendimin unanim për vazhdimin e tij në këtë rol.
Drejtori i kombëtares, Pierluigi Tami, ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të rrethanave të të dyja rasteve, procedurave ligjore dhe pasojave sportive.
Trajneri Yakin pritet të publikojë më 5 nëntor listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, ndaj Sllovenisë dhe Skocisë.













