Projektet prioritare në infrastrukturën rrugore dhe sektorin e energjisë do të financohen plotësisht nga buxheti i vitit 2027. Kështu deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, sipas të cilit fondet e parashikuara do të mbështesin vijimin dhe përfundimin e investimeve të rëndësishme në vend.
Në fokus të investimeve rrugore janë vijimi i ndërtimit të bajpasit të Elbasanit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, i cili sipas ministrit do të përmbyllet plotësisht gjatë vitit 2027, si dhe rikonstruksioni i aksit Kombinat-Ndroq-Plepa. Karakaçi bëri të ditur se për këto projekte është siguruar financimi i nevojshëm për të përshpejtuar punimet.
Një tjetër sektor ku parashikohen investime të konsiderueshme është ai i ujësjellës-kanalizimeve. Sipas ministrit, buxheti i këtij sektori do të jetë 15 miliardë lekë dhe do të përdoret për financimin e 14 projekteve për ndërtimin e ujësjellësve, si dhe 8 projekteve për kanalizimet dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura. Ndërhyrjet do të shtrihen në të 12 qarqet e vendit.
“Vijojmë të investojmë në zhvillimin e vendit, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ky është një buxhet që, duke ruajtur tavanet buxhetore, garanton financimin e plotë të projekteve infrastrukturore dhe energjetike të Ministrisë”, u shpreh Karakaçi.
Ministri e cilësoi buxhetin e vitit 2027 si një instrument zhvillimi, që sipas tij synon të forcojë ekonominë, të përmirësojë lidhjen mes territoreve dhe të rrisë cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Një buxhet që investon në zhvillimin e Shqipërisë dhe në të ardhmen e saj, duke mbështetur plotësisht modernizimin e vendit dhe përmbushjen e standardeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, përfundoi ai.


