Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në qytetin e Chiari-t, në Itali, ku 21-vjeçari Eduart Xhani dyshohet se ka vrarë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, duke e goditur disa herë me thikë.
Pas krimit, i riu është larguar nga banesa, ndërsa në orët e para të mëngjesit është paraqitur vetë në komandën provinciale të Karabinierëve në Cremona, ku ka rrëfyer ngjarjen dhe ka pranuar autorësinë. Pas dëshmisë së tij, efektivët kanë shkuar në banesën ku jetonin nënë e bir, në rrugën Via Tagliata Traversa II, ku kanë gjetur trupin e pajetë të 39-vjeçares.
Xhani është arrestuar nën akuzën e vrasjes me dashje, ndërsa motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë. Hetimet po vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe për të kuptuar nëse mes nënës dhe të birit kishte pasur konflikte apo tensione familjare.
Denis Beqiri, president i Shoqatës Shqiptare në Chiari, është shprehur i tronditur nga ajo që ka ndodhur, duke e përshkruar 21-vjeçarin si një djalë të sjellshëm dhe të përkushtuar.












