Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku, ka komentuar përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si një konflikt brenda së njëjtës forcë politike.
E ftuar në emisionin “Prime News24”, ish-deputetja socialiste u shpreh se palët duhet të lihen të përballen me njëra-tjetrën, pa ndërhyrje për të shpëtuar njërën prej tyre.
“Situata është e qartë, të dy flasin nga burgu, por njëri është brenda dhe tjetri jashtë burgut. Ka një luftë mes tyre dhe mendoj se duhet t’i lëmë të mbysin njëri-tjetrin. Nuk kemi pse shpëtojmë asnjërën palë, por t’i lëmë në këtë rrugëtim që kanë nisur dhe që nuk ka shenja të kthehet pas”, deklaroi Koçeku.
Ajo vlerësoi se përçarjet brenda Partisë Socialiste ishin të pritshme dhe paralajmëroi se konflikti aktual mund të pasohet nga ndarje të tjera në radhët e kësaj force politike.
“Ishte e pashmangshme që do të kishte skizma të tilla politike. Një e tillë ishte në PS edhe kur u largova unë dhe pritet të ketë një ‘butterfly effect’ në vijim. Kjo që ndodhi pritej dhe besoj se do të zgjasë në kohë”, u shpreh deputetja.
Gjatë intervistës, Koçeku foli edhe për të ardhmen politike të kryeministrit Rama, duke deklaruar se sipas saj, zhvillimet mund të përfundojnë me dorëheqjen e tij. Ajo e lidhi këtë skenar edhe me kërkesën që protestuesit kanë artikuluar gjatë tubimeve të fundit.
“Finalja besoj është ajo që po kërkojnë edhe protestuesit, dorëheqjen e kryeministrit Rama. Nuk mendoj se është çështje dëshire, por është e qartë. Rama nuk është politikani që pranon dorëheqjen dhe nuk do të donte të largohej nga posti, por situata do të vijë e tillë sa nuk do të ketë rrugëzgjidhje tjetër”, tha ajo.
Koçeku sqaroi gjithashtu arsyet e largimit nga grupi parlamentar socialist, duke theksuar se vendimi për të vijuar si deputete e pavarur ishte personal. Ajo tha se pas shkëputjes kishte zgjedhur të ndërpriste edhe marrëdhëniet me anëtarët e grupit të PS-së, pasi nuk beson te miqësitë në politikë.












